Dokumentari i ri mbi Melania Trump, gruaja e parë e SHBA-së, ka bërë debutim të suksesshëm në kinema, duke fituar 7.04 milionë dollarë gjatë fundjavës së hapjes, shumë që tejkalon pritshmëritë e parashikuara nga ekspertët e industrisë.
Filmi, që tregon pjesë të jetës së Melania-s gjatë javëve para inaugurimit të dytë të Donald Trump, u shfaq premierë më 29 Janar në Kennedy Center, përpara publikimit global në kinema një ditë më vonë.
Dokumentari u ble nga Amazon MGM Studios për 40 milionë dollarë, ndërsa marketingu për premierën kushtoi edhe 35 milionë dollarë, duke e bërë këtë projekt një nga më të shtrenjtët për një dokumentar jofikcion.
Megjithëse kritikat profesionale ishin kryesisht negative dhe e përshkruan filmin si pa thellësi dhe me ngjyra propagandistike, publiku reagoi më pozitivisht, sidomos në shtetet jugore të SHBA-së si Florida dhe Teksasi, duke i dhënë vlerësimin maksimal “A” në CinemaScore.
Melania Trump, e cila shërbeu edhe si prodhuse ekzekutive, mbajti një shfaqje private të filmit në Shtëpinë e Bardhë më 24 Janar, ku e quajti këtë moment “historik” dhe falënderoi miqtë dhe familjen që ishin prezent.
Përveç suksesit në kinema, Melania ka krijuar kompaninë e saj të produksionit, Muse Films, e cila do të prodhojë përmbajtje televizive dhe filmike me tematikë lifestyle, duke u fokusuar tek moda, arti, muzika, sporti, teknologjia, familja dhe shëndeti.
Dokumentari pritet të jetë i disponueshëm së shpejti edhe në Prime Video, ndërsa fitimet ndërkombëtare pritet të jenë më të kufizuara./E.K


