Dokumentet/ Si Ajola përdori Valmir Xoxën në skemat e shitblerjes së makinës

0
2

Skemat e përdorura nga Ajola Xoxa për pastrim parash, injektimin e parave cash nëpërmjet OJF-ve apo familjarëve të saj, janë zbuluar nga SPAK-u dhe GJKKO-ja i ka vlerësuar si të drejta hetimet, faktet dhe provat e gjetura.

CNA po sjell detaje nga një rast mjaft flagrant që e gjen në vendimin e zbardhur të gjyqtarit Erion Bani pas kërkesës së prokurorëve Olsi Dado dhe Altin Dumani.

Një rast flagrant që lidhet me familjarët e Ajola Xoxës.

Sipas vendimit të zbardhur të gjykatës, në faqen 93 të tij gjen një emër, Valmir Xoxa, i cili në fakt është djali i xhaxhait të Ajola Xoxës.

Sipas të dhënave të siguruara nga prokurorët, babai i Ajolës, Arben Xoxa, në vitin 2016 bleu një makinë prodhim të vitit 2010 me vlerë 7000 euro.

Dokumentet/ Si Ajola përdori Valmir Xoxën në skemat e shitblerjes

“AA813NF (AB910HZ). Mercedes Benz E220 CDI, e Zezë, vitprodhimi 2010, Naftë. Me kontratën Nr. 1538 Rep., dhe Nr. 983 Kol., datë 08.02.2016, Arben Xoxa ka blerë mjetin për shumën 7,000 (shtatë mijë euro), nga shitësi Arnest Behar Laze.

Ky mjet, sipas çertifikatës për lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë ligjore (1257 rep., nr. 505 kol, “Vendim për lëshimin e trashëgimisë ligjore”, 18 Mars 2019 Notere Mimoza Sadushaj), ka kaluar në pronësi të Valbona Xoxa dhe Ajola Xoxa.

Me kontratën Nr. 1359 Rep., dhe Nr. 688 Kol., datë 14.04.2022, Valbona Xoxa dhe Ajola Xoxa e kanë shitur mjetin kundrejt blerësve Valmir Agron Xoxa dhe Ardita Fatmir Meni. Këtë mjet, rezulton që shtetaset Valbona Xoxa dhe Ajola Xoxa e kanë shitur kundrejt çmimit prej 23,000 (njëzet e tre mijë) Euro, tek kushëriri i kësaj të fundit, shtetasi Valmir Xoxa.

Palët kanë rënë dakord që çmimi i shitjes të kalojë te llogaria e Valbona ???? në Intesa San Paolo Bank, me IBAN: AL71208110080000048298635102. Me kontratën Nr. 3942 Rep., dhe Nr 1826 Kol.. vetë Valmir Xoxa dhe Ardita Meni ja kanë shitur mjetin shtetasit Tosun Ramis Qelasi, për çmimin prej 11.500 Euro”, thuhet në hetimet e kryera nga SPAK-ut.

Sipas të dhënave të siguruara nga SPAK-u, pasi babai i Ajolës, Arben Xoxa, ka ndërruar jetë në vitin 2019, tri vite më vonë, në vitin 2022 ky mjet i blerë 6 vite më parë për vetëm 7000 euro i shitet Valmir Xoxës për shumën 23 mijë euro. Pra, një makinë 6 vite më vonë shitet 3.2 herë më shtrenjtë, rreth 23 mijë euro, dhe fakti është se paratë janë derdhur kesh në bankë në llogarinë e shtetases Valbona Xoxa, nëna e Ajola Xoxës.

Dokumentet/ Si Ajola përdori Valmir Xoxën në skemat e shitblerjes

Në fakt, shtetasi Valmir Xoxa nuk rezulton të ketë pasur në momentin e shitblerjes së mjetit një vlerë të tillë shuma parash në bankë apo para të deklaruara, pasi është thjesht dhe vetëm një muzikant me të ardhura mjaft modeste që më pas është punësuar në ansambël dhe pagesat që ka në komunikimet me Ajola Xoxën janë në vlerë 250 mijë lekë të vjetër apo 500 mijë lekë të vjetër për shërbime të ndryshme të kryera prej tij.

Por nuk është kaq skema që makinën e vjetër të babait e shesin tri herë më shtrenjtë dhe paratë derdhen cash në llogarinë bankare.

Valmir Xoxa, pas 11 muajsh, e shet makinën për vlerën 11 mijë euro, me gjysmën e çmimit që e bleu.

I pyetur në SPAK nga prokurori Olsi Dado, Valmir Xoxa u shpreh se e bleu makinën aq shtrenjtë për çështje sentimentale.

“I pyetur në lidhje me blerjen e mjetit W 220, i vitit 2010, i blerë fillimisht nga shtetasi Arben Xoxa për cmimin prej 7.000 euro, dhe më pas, i shitur tek Valmir Xoxa nga Ajola dhe Valbona Xoxa, kundrejt cmimit 23.000 euro në vitin 2022, deklaruesi është shprehur se çmimin e kishte caktuar ai vetë, për arsye sentimentale por edhe për faktin se mjeti ishte në gjëndje mjaft të mirë, duke e cilësuar “super mjet”.

Këtë mjet, deklaruesi shprehet se e ka përdorur para se ta blinte për 2 vjet dhe gjëndja teknike ishte shumë e mirë.

Megjithëse e ka blerë mjetin për 23.000 euro, deklaruesi shprehet se Ajola Xoxa kishte dashur t’ja shiste poshtë çmimit aktual të pronës, por ai ka insistuar që ta blinte me çmimin e mësipërm.

I pyetur në lidhje me mënyrën e likuidimit të mjetit, në formë bankare apo cash, deklaruesi është përgjigjur se nuk e mbante mend.

Ndërsa-në-lidhje me burimin e këtyre të ardhurave, deklaruesi është përgjigjur se edhe ato kanë qenë kursime të tij. Gjithashtu, deklaruesi shprehet se blerja e mjetit është bërë në kohë pas marrjes së kredisë së butë në Bashkinë e Tiranës.

I pyetur më pas në lidhje me shitjen e mjetit (rezulton të jetë shitur vetëm rreth 6 muaj më pas nga shtetasi Valmir Xoxa), deklaruesi është përgjigjur se nuk e mbante mend kur e kishte shitur, por “super mjeti” i bëri një defekt në motor për shkak të gjëndjes së mospërdorimit (më parë ishte shprehur se e kishte përdorur për rreth 2 vjet para se ta blinte).

Deklaruesi shprehet se çmimi i shitjes ishte rreth 11.000 euro (pra, më pak se gjysma e çmimit të blerjes).

Në lidhje me këtë, deklaruesi shprehet se arsyet që e kishin çuar të blinte mjetin me një çmim të atillë ishin zbehur për shkak të problemeve financiare (nga 2020 deri në vitin 2022 deklaruesi shprehet se ka ka patur gjëndje cash kursime rreth 160.000 euro), por edhe sepse mjeti pësoi defekt dhe donte të paktën të ruante gjysmën e parave që e kishte blerë atë”, thuhet në të dhënat e prokurorisë.

Dokumentet/ Si Ajola përdori Valmir Xoxën në skemat e shitblerjes

Por dikush që blen një mjet për çështje sentimentale nuk e shet pas 6 muajsh. Kështu ndodhi me Valmirin.

Personi që e blen mjetin për 11 mijë euro diku rreth vitit 2024 pasi e ka blerë nga Valmiri e shet sërish 23 milionë lekë për të ridhënë një vlerë të madhe dhe fshehur veprimin e parë.

Pra, një makinë e vitit 2010 blihet 7000 në vitin 2016, shitet 23 mijë euro në 2022, shitet pas 6 muajsh 11 mijë euro dhe shitet sërish 23 milionë lekë në 2024.

Këto fakte dhe veprime konkretë janë një pjesë hyrëse e kërkesës së prokurorëve Altin Dumani dhe Ols Dado.

Më tej CNA do sjellë një tjetër skemë që fillon me lekët kesh që Valmir Xoxa i mban në jastëkët e shtëpisë dhe sipas deklarimëve të tij në SPAK i shëtiste në Tiranë gjatë tërmetit./ CNA