- Bashkia e Elbasanit nxjerr në rrugë Shërbimin e Punësimit për t’ia falur godinën Degës së PS-së pa pagesë…
Fakti që po publikojmë nga Bashkia e Elbasanit dëshmon të vërtetën se Partia Socialiste në pushtet është tjetërsuar dhe po vepron si parti-shtet, duke keqpërdorur pushtetin lokal që i përket kësaj partie.
Kryeministri Edi Rama, me Vendim nr. 337, datë 9 qershor 2021, e largoi nga godina Drejtorinë Rajonale të Punësimit, Qarku Elbasan, dhe godinën ia transferoi në pronësi Bashkisë së Elbasanit, gjoja për nevoja emergjente, për zyra të disa sektorëve të kësaj bashkie.
Por dokumenti që po publikojmë tregon se largimi i Drejtorisë Rajonale të Punësimit nuk ka pasur si qëllim sistemimin emergjent të administratës së Bashkisë Elbasan, por shfrytëzimin e godinës për zyra të Degës së PS-Elbasan.
Më 20 tetor 2025, Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, i kërkoi Këshillit Bashkiak të miratonte projekt-vendimin për t’ia dhënë Degës së PS-Elbasan, pa pagesë, zyrat e Drejtorisë Rajonale të Punësimit.
Brenda dy ditësh, Këshilli Bashkiak, me Vendim nr. 132, datë 22 tetor 2025, të miratuar me 33 vota të këshilltarëve të PS-së dhe PSD-së, ia dha godinën Degës lokale të PS-së për zyra.

Në propozimin e kryebashkiakut Gledian Llatja dhe në vendimin e këshilltarëve thuhet:
“Zyrat e Shërbimit të Punësimit, ndërtesë me dy kate, me sipërfaqe kati i parë 432.4 m² dhe kati i dytë 352 m², në lagjen ‘Kongresi i Elbasanit’, i jepen për zyra pa pagesë Partisë Socialiste, Dega Elbasan, për periudhën katërvjeçare nga 1 shtator 2025 deri më 31 gusht 2029”, vendim i miratuar edhe nga Prefektura.
Pra, për sa kohë PS është në pushtet, zyrat e shtetit zaptohen dhe më pas legalizohen me vendim bashkie. Ky vendim zbulon faktin se godinën PS e Elbasanit e ka shfrytëzuar prej katër vitesh pa asnjë pagesë, çka shpjegon edhe pse kryeministri Edi Rama e largoi nga aty Drejtorinë Rajonale të Punësimit../Pamfleti


