Dosja në prokurori/Sherr në Elbasan mes vëllait të Bled Muçës dhe babait të Florenc Çapjas për kamerat e sigurisë

0
3283

Vetëm tre muaj nga vrasja e Bledar Muçës në Belgjikë, policia e Elbasanit, ka regjistruar një denoncim, të cilin më pas e ka referuar për vlerësim hetimor në prokurorinë e këtij qyteti.

Bëhet fjalë për një përplasje verbale, që më pas ka agravuar në konflikt fizik mes familjarëve të dy miqve, Bledar Muçës, i ekzekutuar prej 23 janarit 2022 dhe Florenc Çapjas, i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme SPAK, si i dyshuar për vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit në gusht të vitit 2015.

Konflikti, është regjistruar në 29 prill 2022 në lagjen “Emin Matraxhiu”.Ora News ka mësuar nga burime pranë policisë dhe prokurorisë Elbasan, se mes dy palëve tashmë ka ndodhur një krisje, për shkak të konfliktit për mënyrën e vendosjes së kamerave të sigurisë në shtëpinë e të ndjerit, Bledar Muça.

Konflikti ka shkuar deri në dyert e policisë dhe prokurorisë së qytetit, ndërsa ka qenë Gentian Muça, ai që ka depozituar kallëzim kundër Fejzulla Çapjas, dhe nipit të këtij të fundit, Edis Xhikës.

Në materialin e prokurorisë thuhet nga Gentiani, se shtëpia e tij si dhe vëllait të vrarë Bledar Muça, Fejzulla Çapja dhe të afërmve të tij janë afër me njëra-tjetrën.

“Unë kam parë që Edisi kishte një shkop bejzbolli në dorë dhe më kërcënoi me fjalë. Ndërsa Fejzullahu, i cili ndodhej i ulur afër vendit ku ndodhej Edisi, është ngritur në këmbë duke më sharë dhe ofenduar me fjalë dhe më pas, më ka goditur me grushte në pjesën e qafës, duke vazhduar të më kërcënojë me fjalë”-është shprehur ai.

Më tej kërkon nga prokuroria, që Fejzulla Çapja dhe Edis Xhika, ta lenë rehat në hallet e tij.

Për të sqaruar situatën konfliktuale mes dy palëve, Çapja dhe Muça, policia ka thirrur për të dëshmuar dhe Fejzulla Çapjan e nipin e tij, Edis Xhika.

Të dy së bashku kanë treguar se kanë pasur një mosmarëveshje të tensionuar me Gentian Muccën, por jo që ta kenë goditur.

Fejzulla Çapja, ka treguar se ka ndërhyrë duke ndarë të dyja palët që mos konfliktoheshin fizikisht.

Ndërsa Edison Xhika, ka pranuar se kamerat i kishte lëvizur ai, duke u justifikuar me faktin se këtë veprim e kishte, kryer për arsye sigurie dhe privatësie.