Detaje tronditëse ka zbuluar gazeta e njohur greke “Ta NEA”, lidhur me mega operacionin që po zhvillohet në Greqi pas lëshimit të 28 urdhër arresteve ndaj anëtarëve të disa grupeve kriminale të përfshira në trafik droge, veprime të dhunshme dhe vrasje apo tentativë vrasje.
Deri tani mësohet se janë sekuestruar 200.000 euro, 1000 rrënje cannabis, armë, sasi droge dhe shumë automjete, ndërsa nuk dihet se sa persona janë arrestuar.
Nga bisedat e zbardhura gjatë hetimit, është zbuluar se një nga krerët e grupit është një i ri shqiptar, i ekzekutuar në Shqipëri më vitin 2022 pas vendosjes së një sasie eksplozivi në makinën e tij.
Ai së bashku me një nga drejtuesit e organizatës kriminale kanë pasur një rol aktiv në një atentat të vitit 2021 ndaj një 32-vjecarit nga Saranda Ari Papa për arsye hakmarrjeje.
Një nga drejtuesit e organizatës kryesore kriminale ka qenë ai që i ka dhënë informacion drejtuesit të vrarë për lëvizjet e shtetasit shqiptar.
Për llogari të këtij të fundit, pra të riut shqiptar të vrarë në Shqipëri, kreu tjetër i grupit ka siguruar një armë zjarri tip snajper me dylbi, madje duke i dërguar edhe foto. Snajperin më pas ai ua ka dorëzuar disa personave në një hotel, me qëllim që të vrisnin Ari Papën.
Atentati do të kryhej nga një ballkon, i cili kishte fushëpamje nga një shesh të cilin e frekuentonte Ari Papa. Ai ishte graduar të qëllonte nga 100 metra por atentati mësohet se nuk është arritur të kryhet./abcnews.al