Dozat e para të vaksinës së Pfizer në Serbi, prej të hënës

0
173

Ministri i Shëndetësisë i Serbisë, Zllatibor Llonçar, deklaroi të premten në Novi Sad se dozat e para të vaksinës së kompanisë Pfizer kundër koronavirusit, do të arrijnë në Serbi të hënën ose të martën (21 ose 22 dhjetor), ku dërgesa e parë do të jetë prej më pak se 5,000 doza.

Ai shtoi se vaksinat do të shpërndahen në shtëpitë e pleqve.

Llonçar deklaroi se licenca për importin e vaksinës së kompanive Pfizer dhe BioNTech është lëshuar më 17 dhjetor nga Agjencia për Barna dhe Pajisje Mjekësore dhe se dozat e ardhshme do të mbërrijnë, siç janë premtuar, deri në fund të vitit.

Sipas tij, Serbia është ndër vendet e para që do të marrë vaksinën sepse ishte një nga pesë shtetet e para në botë që nënshkroi një kontratë me Pfizer.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 15 dhjetor se Serbia kishte porositur 340,000 doza të vaksinës nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech dhe se vaksina ruse Sputnik V po testohet.

Përderisa Serbia ka bërë porositë e para për vaksinën kundër COVID-19, të njëjtën gjë ka bërë edhe Maqedonia e Veriut, e cila ka thënë se ka nënshkruar një kontratë me kompaninë AstraZaneca për 800,000 doza të vaksinës, të cilat pritet të arrijnë në fillim të vitit 2020.

Vaksinat e kompanisë Pfizer kushtojnë rreth 18.40-19.50 dollarë derisa ato të kompanisë amerikane Moderna 25-37 dollarë. AstraZeneca ka thënë se vaksina e saj do të jetë më e lirë sesa e konkurrentëve të tjerë.

Kosova pret që të marrë vaksina për 20 për qind të popullatës nga programi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, ndërkaq pjesën tjetër do ta blejë vetë.

Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Armend Zemaj ka thënë se është formuar edhe komisioni për negocimin e furnizimit me vaksina kundër COVID-19, informon REL.