Draft-raporti i PE-së që “hedh në erë” Erion Veliajn, lobistët dhe propagandën kundër drejtësisë

0
11

Në shumë javë, sa herë ka një gjyq Erion Veliaj shohim shkrime në media të ndryshme, ku me porosi, ku me pagesa.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, nëpërmjet qindra mijëra eurove që hidhen prej vëllait të tij, bën shkrime, bën lobime me pretendimin se drejtësia mund të bëhet me raporte, mund të bëhet me manipulime dhe mashtrime siç CNA shpesh ka theksuar se skenarët shkuan deri në Kongresin Amerikan, në Senat, me raporte, të cilat përveçse mbanin shumë të pavërteta brenda tyre, jepeshin skenarë manipulimi dhe mashtrimi për të goditur drejtësinë, siç është fakti që prokurori Ols Dado ishte një aktivist i PD-së apo kishte kërkuar leje ndërtimi për një shtesë dhe i ishte refuzuar apo deri te skandali se ishin prokurorët që kishin caktuar gjyqtarin Erjon Bani, ku, në fakt, ky i fundit ishte zgjedhur nga njëri prej të pandehurve.

Disa shkrime të bëra në “EU Reporter” dhe në media të huaja, kuptohet me pagesë, me lobime, materiale, të cilat më pas merren dhe ndërtohen raporte, shkrime që shkruhen me mjaft kujdes duke e hedhur “helmin” në paragrafë të caktuar ku parlamentarë europianë, zyrtarë flasin për drejtësinë, për reformat, për integrimin e Shqipërisë në BE, dhe mes rreshtash fillojnë e përmenden arrestimet, paraburgimet, a thua se Erion Veliaj ndodhet në burg nga qejfi që kishin prokurorët, jo me vendim të të gjitha gjykatave.Në fakt, ai ka 13 akuza për vepra të rënda penale dhe me arsyen se ai po prishte provat.

Nga 24 korriku i vitit të shkuar çështja ndodhet në gjykatë dhe prej 7 muajsh kryetari i Bashkisë së Tiranës i shtyn seancat me skema dhe skenarë me avokatë që nuk ka para t’u paguajë taksi, ndërkohë që lobon 220 mijë dollarë në SHBA me ndryshimin e avokatëve apo deri te gënjeshtra publike se nuk e kishin marrë ta çonin në seancë gjyqësore sipas procedurave të rregullta, pra me pretendimin se nuk ishte njoftuar.

Të gjitha këto kanë një qëllim, që Erion Veliaj të krijojë kauzën e tij për në Strasburg, por mesa duket e paska betejë të humbur pa filluar sepse dardha e ka bishtin mbrapa dhe e vërteta e tij është mjaft e lexueshme e askush nuk e manipulon dot, qofshin këta lobistë, avokatë në SHBA, Europë apo kudo tjetër.

Draft-raporti rrëzon propagandën e Veliajt

Sot është publikuar draft-raporti i Parlamentit Europian për Shqipërinë.

Në kapitullin e tij “Shteti i së drejtës, gjyqësori dhe lufta kundër korrupsionit”, Parlamenti Europian është i qartë në 5 pikat e tij duke hedhur në “erë” qëndrimet e bëra nga propaganda e Veliajt.

Çfarë thonë 5 pikat në draft-raportin e Parlamentit Europian për Shqipërinë

Së pari, Parlamenti Europian përshëndet vijimin e reformës në drejtësi dhe thotë se duhet të mos ketë vonesa në çështje dhe përpjekjet për ndikim të padrejtë.

Në rastin e Veliajt kemi një çështje që po vonohet me qëllim nga kryebashkiaku dhe përpjekje për ndikim të padrejtë. A janë ndikim i padrejtë shkrimet, qëndrimet mediatike, propaganda dhe lobimet?

Në pikën e dytë theksohet se duhet një forcim i organeve të qeverisjes së drejtësisë dhe investime në infrastrukturë e digjitalizim.

Por draft-raporti në pikën e tretë thekson se korrupsioni mbetet shqetësim serioz dhe kërkon forcim të hetimeve dhe dënimeve, sidomos në nivele të larta.

A është Erion Veliaj një person i hetuar në nivelet më të larta dhe në proces gjyqësor për t’u dënuar apo për të dalë i pafajshëm?

Pra, atë që kërkon Parlamenti Europian, atë kanë bërë SPAK-u, prokurorët dhe gjykata bazuar në prova të pakontestueshme deri tani që as Erion Veliaj nuk ka mundur ende dot të shprehet dhe t’i rrëzojë.

Draft-raporti thotë se duhet adresimi i korrupsionit në të gjitha nivelet për të rritur besimin e qytetarëve dhe kërkon gjithashtu që të vazhdojë bashkëpunimin me agjenci të BE-së si Europol dhe Eurojust për luftën kundër korrupsionit.

Draft-raporti në 5 pika është i qartë.

Te pika e parë flet për vonesat në çështje dhe ndikimin e padrejtë, një shpullë ndaj Veliajt, dhe në pikën e tretë thekson korrupsionin si shqetësim serioz, duhet të forcohen hetimet dhe dënimet, sidomos në nivelet e larta, një “grusht” në fytyrën e Veliajt dhe adresimin e korrupsionit në të gjitha nivelet për të rritur besimin e qytetarëve, dhe këtu një tjetër “shpullë” në fytyrën e propagandës së Erion Veliajt.

Draft-raporti i Parlamentit Europian është i qartë në 5 pikat e tij. 3 pika janë “grushte” në fytyrën e propagandës së Veliajt, i ndaluar prej një viti me 13 akuza dhe që nga korriku i vitit 2025 vijon të shtyjë seancat e tij gjyqësore nga njëra anë dhe nga ana tjetër pretendon se nuk ka akuza dhe s’ka drejtësi ndaj tij./ CNA

Ardit Murataj