Policia e Vlorës ka arrestuar 32-vjeçarin Haiti Bajramaj, i cili mbrëmjen e djeshme është përfshirë në një aksident të rëndë rrugor që i mori jetën një të mituri 17-vjeçar.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ndodhi rreth orës 00:15, në bulevardin “Ismail Qemali”. Bajramaj, duke drejtuar një automjet tip “Porsche” në gjendje të dehur, është përplasur me një motomjet tip “Trinity” që drejtohej nga 17-vjeçari.
Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme dhe transportimit në Spitalin Rajonal të Vlorës, i riu nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra.
32-vjeçari është vënë në pranga dhe po hetohet për veprat penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.


