Drejtori i Policisë takim me kreun e KQZ, Proda dhe Celibashi diskutim për parandalimin e krimit zgjedhor

0
3

Policia e Shtetit ka njoftuar se po intensifikon përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme, duke u angazhuar për të garantuar rendin, sigurinë publike dhe luftën kundër krimeve zgjedhore. Në këtë kuadër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, zhvilloi sot një takim zyrtar me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Takimi kishte për qëllim thellimin e bashkëpunimit mes institucioneve dhe forcimin e masave të sigurisë, duke siguruar një proces zgjedhor të qetë dhe demokratik. Palët theksuan rëndësinë e një mjedisi të paanshëm, ku qytetarët të ushtrojnë lirisht të drejtën e tyre për të votuar.

Proda theksoi angazhimin e Policisë së Shtetit për të zbatuar detyrimet ligjore dhe për të ndjekur çdo rast të krimeve zgjedhore, në bashkëpunim me KQZ-në, Prokurorinë e Posaçme (SPAK) dhe Prokurorinë e Përgjithshme.

“Policia e Shtetit do të ndjekë me përpikmëri çdo shkelje të ligjit zgjedhor. Askush nuk mund të cenojë procesin zgjedhor pa u përballur me pasojat ligjore,” u shpreh Proda.

 

 

Nga ana e tij, Komisioneri Celibashi vlerësoi rolin e policisë, duke e cilësuar atë si një partner kyç për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Gjatë takimit, u diskutuan masa konkrete për të parandaluar dhe ndëshkuar veprat penale që lidhen me zgjedhjet, duke përfshirë:

– Luftën kundër blerjes së votave dhe presioneve ndaj votuesve
– Monitorimin e keqpërdorimit të burimeve shtetërore gjatë fushatës
– Forcimin e sigurisë gjatë fushatës, ditës së votimit dhe numërimit të votave
– Trajnimin e strukturave policore mbi procedurat e identifikimit dhe raportimit të shkeljeve zgjedhore