Drejtori i Rendit Agron Çeli thirrje prindërve: Kontrolloni çantat e fëmijëve para se t’i nisni për shkollë

0
1

Ka nisur sot, më 8 shtator, zyrtarisht viti i ri shkollor në të gjithë vendin. Pas pushimeve të verës që zgjatën rreth tre muaj, mijëra nxënës janë rikthyer sot në bankat e shkollës, për të vijuar rrugëtimin e tyre në arsim dhe dije. Ndërkohë edhe Policia e Shtetit ka nisur zbatimin e planit të masave për mbarëvajtjen e sigurisë në shkolla.

Drejtori i Rendit, Agron Çeli, foli sot për këto masa në një intervistë live për Klan News.

Ai tha se gjatë ditës së sotme nuk janë konstatuar probleme, përveç trafikut të rënduar dhe vonesave në nisjen e mësimit, për shkak të dëshirës, siç u shpreh ai, të prindërve për t’i dërguar vetë fëmijët në shkollë në ditën e parë me makinat e tyre personale.

“Përshëndetje, duke uruar edhe njëherë të gjithë fëmijët dhe stafin pedagogjik për mbarëvajtjen e vitit të ri mësimor 2025-2026, mund të shprehem se ato çfarë kemi shprehur në deklaratë i kemi konkretizuar të gjitha në terren.

Në të gjitha shkollat janë vendosur shërbimet e Policisë së Shtetit, si ato me uniformë edhe ato në distancë. Deri më tani, nga raportimet që kemi nga drejtuesit e strukturave vendore, nuk ka ndonjë problematikë. Siç edhe ju keni konstatuar, shkak për disa vonesa është bërë trafiku i ngarkuar, për shkak të infrastrukturës, por edhe transportit, dëshirës që kanë prindërit për t’i çuar fëmijët në shkollë me mjet. Ka pasur një ngarkesë të madhe. Do të kërkojmë t’i çojnë në këmbë, jo me mjet, sepse ngarkohet trafiku dhe, normalisht, vijnë me vonesa edhe në shkollë”, tha Çeli.

Duke folur për planin e masave, Çeli u bëri thirrje si oficerëve të sigurisë, ashtu edhe prindërve dhe mësuesve që të tregohen të vëmendshëm për sendet që fëmijët marrin në shkollë me vete.

“Kryesisht do të ushtrohet kontroll sipas programit që kemi hartuar dhe nuk do të kemi probleme, por njëkohësisht oficerët e sigurisë duhet të jenë të vëmendshëm, prindërit, mësuesit, lidhur me sendet që mund të mbajnë nxënësit në mënyrë të kundërligjshme, nisur dhe nga ngjarjet e mëparshme, sepse kanë ndodhur problematika që kanë përfunduar në tragjedi. Do t’u luteshim të gjithë prindërve, para se fëmija të niset në shkollë, mundësisht t’u kontrollojnë çantat, që fëmijët të mos mbajnë sende të paligjshme me vete”, tha Drejtori i Rendit.

Më tej, ai shtoi se plani i masave të Policisë nuk është vetëm për ditën e parë të shkollës, por për gjatë gjithë periudhës së vazhdimit të vitit të ri mësimor, nga data e sotme deri në përfundim të shkollës.