Drejtoria e Burgjeve tregon si është gjendja shëndetësore e Nuredin Dumanit, kush ja dërgoi karkalecat në qeli?

0
2

Disa ditë pasi përfundoi me urgjencë në QSUT, i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani aktualisht ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Drejtoria e Burgjeve ka konfirmuar se Nuredin Dumani me datë 6 shtator është dërguar drejt urgjencës në gjendje të pavetëdijshme.

“Aktualisht, gjendja shëndetësore e shtetasit Nuredin Dumani është e stabilizuar. Më datë 6 shtator 2025, ai u shoqërua nga IEVP “Jordan Misja” drejt urgjencës së QSUT “Nënë Tereza”, pas shfaqjes së problemeve shëndetësore. Pas ekzaminimeve dhe konsultave me mjekë specialistë, ai u shtrua në Reanimacionin Qendror të QSUT-së me diagnozën: Gjendje stupor” thuhet në përgjigje për Dosja.al.

Drejtoria e Burgjeve bën me dije se disa mjekë përfshirë neurolog, toksikolog dhe kardiolog të cilët kanë sugjeruar që “pentito” të vijojë për 3 ditë kurimin me disa medikamente, përfshirë: Ceftriaxone (trajtim bakterial), Omeprazol (shërben për acidin e tepërt në stomap) si dhe Enoksiparin (hollues gjaku).

“Gjatë qëndrimit në Reanimacionin Qendror të QSUT-së, Dumanit iu kryen analiza laboratorike dhe imazherike, si dhe u konsultua me mjekë të fushave të ndryshme: neurolog, toksikolog, kardiolog dhe anestezist-reanimator. Më datë 7 shtator 2025, ai doli nga spitali me gjendje të përmirësuar dhe me rekomandim për vijimin e trajtimit në Qendrën Shëndetësore të Burgut (QSB). Sipas dokumentacionit, nuk u evidentuan probleme të tjera shëndetësore, por iu rekomandua të kryente një EEG dhe të vijonte për tre ditë trajtimin me Ceftriaxone, Omeprazol dhe Enoksiparin. Po më 7 shtator, pasi doli nga QSUT, ai u paraqit në QSB sipas rekomandimeve, por refuzoi shtrimin në Spitalin e Burgut, gjë që është dokumentuar në fletën përkatëse të orës 13:25. Gjendja e tij aktuale është e stabilizuar,” vijon emaili nga Drejtoria e Burgjeve.

Të pyetur në lidhje me origjinën e ushqimit të detit që Dumani kishte konsumuar, Drejtoria e Burgjeve theksoi se familjarët i kanë sjellë karkaleca më datë 29 gusht.

“Nga verifikimet në regjistrat zyrtarë, rezulton se familjarët e tij kanë sjellë ushqime që përfshijnë edhe fruta deti, konkretisht karkaleca, më datë 29 gusht 2025. Ky ushqim është futur brenda rregullave të institucionit dhe është sjellë nga të afërmit e tij” përfundon përgjigja nga Drejtoria e Burgjeve.

I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani u paraqit me urgjencë në spitalin e burgut 313. Por, duke qenë se ai prej vitesh ka të vendosur valvul në zemër, u dërgua me urgjencë në QSUT.

Në momentin kur Dumani është paraqitur në urgjencën e QSUT mësohet se ka qenë i pavetëdijshëm dhe më pas nuk ka mundur të flasë. Ai iu nënshtrua një procesi skanimi në pjesën e kokës, barkut dhe gjoksit, ndërkohë që më tej u dërgua në Reaminacionin e Kirurgjisë, aty ku dhe u rehabilitua në një nga dhomat VIP të këtij reparti, duke qëndruar i vetëm.

Nuredin Dumani la ambientet e spitalit pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore dhe aktualisht ndodhet në IEVP 313.