Dua Lipa vjen në Tiranë

0
161

Dua Lipa ka ardhur në Tiranë. E shoqëruar me familjen e saj dhe të dashurin, Anwar Hadid, ajo është takuar me Erion Veliajn. Kryetari i Bashkisë i dhuroi këngëtares së famshme një targë simbolike “Dua 100”, kapelen e gruas tironse, si dhe diskun muzikor me këngë popullore të Shqipërisë së mesme.

Veliaj iu dhuroi gjithashtu dhe babait të saj, Dukagjinit si dhe partnerit të saj nga një fanellë të personalizuar nga ekipi i futbollit të Tiranës. Ndërsa, Dua Lipa i dhuroi Veliajt albumin e saj më të fundit, që po thyen rekordet botërore, “Future Nostalgia”, i cili për 6 muaj ka qëndruar në top 10-en e Billboard 200.Kjo ishte një surprizë për fansat e saj shqiptarë. Në fakt, prej disa kohësh është përfolur se këngëtarja do të vijë në Tiranë por vetë këngëtarja nuk pati dhënë detaje. Dyshimet u shtuan gjithashtu pas disa fotove që publikoi në Instagram, të cilat i shoqëroi me disa emoji me simbolin e flamurit.

Kryeministri Edi Rama ka pritur në Tiranë artisten shqiptare me famë ndërkombëtare Dua Lipa. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Rama uron atë të rrojë e të mbretërojë 100 vjet në fronin ku është ulur. Ai shprehet se brenda tij ka mbetur gjurma e vajzës së mençur, të edukuar e modeste si të ishte askushi.

“DUA LIPA që ka kapur qiellin e botës muzikore s’ka nevojë për asnjë koment, ndërsa një koment për Duan që pata kënaqësinë të njoh, unë dua ta ndaj me ju.

Uroj që ajo të rrojë e të mbretërojë 100 vjet në fronin ku është ulur, po brenda meje mbeti gjurma e vajzës së mençur, të edukuar e modeste si të ishte askushi, e cila është me siguri krenaria e lumturia e prindërve dhe e krejt familjes së saj, pikërisht sepse çka i takon botës nga ylli i muzikës, nuk ka prekur asnjë fije atë çka u takon atyre nga vajza e tyre. Çfarë çike”, shkruan Rama.

/abcnews.al