Kultivimi i duhanit në Shqipëri do të lejohet vetëm në rast se fermerët nënshkruajnë kontratë paraprake me grumbulluesit.
Ndërsa këta të fundit do të kenë detyrim ngrirjen e garancisë financiare për sasinë që do të blejnë.
Sipas qeverisë një vendim i tillë merret për të shmangur rastet e refuzimit të pagesave
Kushtet për duhanin
Fermerët nuk do të lejohen të kultivojnë duhan nëse më parë nuk kanë lidhur kontratë me një grumbullues apo përpunues industrialë dhe nëse nuk disponojnë kartelë personale.
Kështu parashikon projektligji i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural i cili është ende në fazën e konsultimeve me qytetarët.
Drafti detyron kultivuesit që të lidhin kontratë paraprake jo më vonë se data 31 mars e çdo viti për duhanet orientale dhe gjysmë orientale dhe 30 Prilli për varietetet e tjera.
Ata që do të veprojnë jashtë këtij rregulli do të ndëshkohen me gjobën ne vlerën e 100 mijë lekëve të rinj.
Një tjetër detyrim tjetër është edhe kartela personale e konfirmuar. Për tu pajisur me të fermerët duhet të kenë NIPT, të bëjnë një kërkesë me shkrim për kultivimin e duhanit si dhe të kenë një vërtetim pronësie ose kontratë qiraje mbi tokën bujqësore.
Farat dhe fidanët që do të përdoren duhet të jenë të certifikuara dhe do të blihen në subjektet e licencuara.
Për ti dhënë fund rasteve kur grumbulluesi nuk paguan fermerët është vendosur dhe kushti i një garancie financiare.
15 ditë para fillimit të sezonit të grumbullimit duhet të paraqesin zyrtarisht në institucionin përgjegjës për duhanin garancinë e lëshuar nga një institucion financiar i licencuar, që siguron shlyerjen 100% të kontratave të nënshkruara
Në këtë rast nëse fermeri nuk merr pagesën brenda afati 30 ditor nga dorëzimi i sasisë ka të drejtë të kërkojë nga institucioni financiar ekzekutimin e garancisë për shlyerjen e detyrimit. Po ashtu do të jetë e ndaluar tregtimi i cigareve të hapura.
Të dhënat tregojnë se 25-30% e konsumit të duhanit është informal, duke i shkaktuar buxhetit një humbje 20-25 milion Euro.
ora news