Duhani, shkaku kryesor i 7 tumoreve. Studimi: Depistimi kombëtar do ulte me 20% vdekjet e parakohshme

0
2

Duhanpirja është shkaku kryesor i 7 tumoreve dhe vdekjeve prej tyre. Sipas të dhënave botërore, kanceret me përqindjen më të lartë të dëmit nga duhani janë ai i mushkërive me 90%, ai i laringut me 90%, faringut dhe ezofagut me 80%, zgavrës së gojës dhe buzës, dhe fshikëzës urinare me 70%.

“Tumoret më të shpeshta të shkaktuara nga duhani janë ai i mushkërive, ku në 90% të rasteve shkaktar është duhanpirja. Më pas vjen kanceri i kokë-qafës, ku futet ai i laringut, faringut, ezofagut, gojës e buzës me rreth 85% të rasteve nga duhani e më pas kanceri i fshikëzës urinare dhe pankreasit, përkatësisht 70% dhe 50%”, tha onkologu Sotiraq Senjo.

Sipas onkologut Sotiraq Senjo, bazuar në përqindjen e shkaktimit të kancerit nga duhani dhe rasteve të raportuara nga ISHP-ja për vitin 2023, 1.300 raste të reja me tumor në vit mund të evitoheshin nëse nuk do të përdorej duhani.

Një strategji kombëtare për depistim të hershëm përmes skanerit me dozë të ulët tek duhanpirësit disavjeçarë, sipas onkologut, do të ulte me rreth 20% vdekjet e parakohshme në 5 vite.

“Është shumë e rëndësishme të ngrihet një strategji kombëtare për duhanpirësit 10-20-vjeçarë, të cilët janë edhe më të rrezikuarit, për të kryer tek ata një skaner më dozë të ulët që të kapim tumoret në faza të hershme dhe të kurohen me kosto të ulët. Kjo ndodh në shumë vende të Europës. Pas kësaj ndërhyrjeje është parë që vdekjet nga kanceri ulen me 20% tek duhanpirësit 20 apo 30-vjeçarë brenda 5 viteve. Në Shqipëri nga përllogaritja e rasteve që referon ISHP, rreth 1.300 raste të reja mund të evitoheshin nëse nuk do përdorej duhani”, u shpreh onkologu Senjo.

Në Shqipëri përllogaritet që rreth 38% e popullatës të jetë duhanpirëse. Ajo që është alarmante është numri në rritje i të rinjve, për të cilët mjekët parashikojnë dëme të mëdha shëndetësore brenda një dekade.

Është parashikuar që deri në vitin 2030 tumoret të rriten me 60% kundrejt vitit 2020, pikërisht nga duhani.

RTSH