Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të hapë më datën 17 shtator garën për drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare të KLP-së ku bëhet e ditur mbledhja e datës 17 shtator e këtij institucioni, ku është planifikuar në rendin e ditës diskutim shpallja e vakancës së kreut të SPAK.
Mandati 3-vjeçar i Altin Dumanit në krye të SPAK përfundon në 16 dhjetor 2025, pasi këtë detyrë e mori më 16 dhjetor 2022.
Altin Dumani është drejtuesi i dytë i Prokurorisë së Posaçme që prej krijimit të këtij institucioni, duke pasuar Arben Krajën. Mandati i prokurorëve të SPAK është 9-vjeçar.
Ndërkohë në proces është edhe përzgjedhja e kreut të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit. KLP është në pritje të emrave që do të sugjerohen nga SPAK, proces që duhet të ishte përmbushur brenda muajit gusht.
KËSHILLI I LARTË I PROKURORISË NJOFTIM PËR MBLEDHJE PLENARE
17 Shtator 2025
Informacion mbi mbledhjen:
Dita/Data: E Mërkurë, 17.09.2025
Ora: 10.00
Kohëzgjatja: ⸟ 90 minuta
Thirrur nga: Kryetari i Këshillit
Pjesëmarrësit: Anëtarët
Kuorumi i nevojshëm: 7 anëtarë
Kjo mbledhje do të organizohet në sallën e mbledhjeve në prezencë të Anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe përfaqësuesve nga Prokurori i Përgjithshëm, Ministria e Drejtësisë, Projekti Eu4Justice dhe Programi OPDAT. Media është e ftuar të jetë e pranishme.
Rendi i ditës:
1. Miratimi i Procesverbalit të mbledhjes plenare të datës 04.09.2025;
2. Diskutimi/miratimi i Projekt-vendimit “Për shpalljen e vendit vakant për Drejtues të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”;
3. Diskutimi/miratimi i “Projektraportit të Vlerësimit Etik dhe Profesional për prokurorin Françesk Ganaj”;
4. Diskutimi/miratimi i “Projektraportit të Vlerësimit Etik dhe Profesional për prokurorin Ermira Manelli”;
5. Diskutimi/miratimi i “Projektraportit të Vlerësimit Etik dhe Profesional për prokurorin Hysni Mulaj”.
Të tjera (pyetje/diskutime)
Sektori i TIK, Digjitalizimit dhe Statistikës bën publikimin e kësaj axhende në faqen zyrtare të internetit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Kryetar
MIRELA BOGDANI