Durrës/ Kontrollojnë pas 9 muajsh kamionin e sekuestruar, gjejnë dhe 1 kg tjetër heroinë

0
150

Një kg heroinë është sekuestruar në portin e Durrësit.

Policia thotë se është vijim i operacionit të nisur më 26 qershor 2021 kur në kamion u gjetën dhe  u sekuestruan 17 kg lëndë e dyshuar narkotike heroinë dhe u vu në pranga drejtuesi i kamionit,Sulo Paja.

Por mesaduket nuk kanë arritur të zbulojnë të gjitha pakot me heroinë që ishin fshehur në kamion.

Plot 9 muaj më pas policia ka ndërmarrë një tjetër kontroll.

“Pas ndërhyrjes me mjete prerëse, në shasinë e kamionit u bë e mundur gjetja e një sasie tjetër lënde të dyshuar narkotike heroinë, me peshë 1 kilogramë” informoi sot policia e Durrësit.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Durrës kishin marrë informacion se në kamionin e sekuestruar në portin e Durrësit, gjatë operacionit “ATTEMPT”, në qershor 2021, mund të kishte përsëri lëndë narkotike.

“Bazuar në këto informacione, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Shkodër, kanë ushtruar kontroll të imtësishëm në kamionin tip “Scania”. Pas ndërhyrjes me mjete prerëse, në shasinë e kamionit u bë e mundur gjetja e një sasie tjetër lënde të dyshuar narkotike heroinë, me peshë 1 kilogramë.”

Materialet hetimore në ngarkim të shtetasit të arrestuar S. P. i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Operacioni i 26 qershorit 

Më 26 qershor 2021 bazuar dhe në analizën e riskut, në kuadër të operacionit policor “ATTEMPT”, policia kishte kaluar për kontroll në vijën e dytë, në pikën e kalimit kufitar Hani i Hotit, një kamion me targa shqiptare që po qarkullonte në drejtim të Malit të Zi.

Nga kontrolli i specializuar rezultoi se në kamion ishin fshehur rreth 17 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike heroinë.