DY FJALË PËR KUNDËRSHTARIN TIM (VIDEO)

0
94

Nga Gledian Llatja

Fatmirësisht, kultura ime qytetare dhe politike më ka ndihmuar të jem larg konflikteve shterpe dhe të mos merrem personalisht me askënd, qoftë ky edhe kundërshtari im politik.

Gjithësesi, duke qenë se Luçiano Boçi dhe të tijtë gjatë gjithë kësaj fushate janë marrë personalisht me mua, besoj se është momenti për të thënë diçka.

Luçiano Boçin unë e njoh si njeriun që nën bekimin e Sali Berishës kandidoi për Bashkinë e Elbasanit 16 vite më parë dhe u refuzua me votë masive. E njoh si njeriun që prej shumë vitesh nuk ka zbritur nga pushteti politik por nuk ka bërë asgjë për qytetin tonë. E njoh si ish-kryetar të PD-së në kohën kur e njëjta dyshe Berisha-Meta drejtonin qeverinë e kur selia e drejtuar nga Boçi u kthye në agjenci për shitjen e vendeve të punës. Çdokush në Elbasan e rrëfen këtë fakt si një kujtesë e freskët.

Ajo çka është provë e pakontestueshme është fakti se Luçiano Boçi është një figurë politike e ricikluar. Është një ofertë politike e rikthyer pas 16 vitesh të cilën qytetarët e Elbasanit nuk e meritojnë. Një fëmijë që ishte 2 vjeç në vitin 2007 kur Luçiano garoi për Bashkinë e Elbasanit sot është votues për herë të parë dhe nuk mund të jetë fyerje më e madhe se sa të shohë në fletën votimit emrin e Luçiano Boçit.

Deri dje, Luçiano Boçi ishte ai që akuzonte Ilir Metën për ryshfete miliona euroshe teksa kërkonte që ai të dorëzohej para drejtësisë. Sot, ai është kandidat me vulën e partisë së Ilir Metës dhe shprehet krenar që ndodhet në krah të tij! Cilin Luçiano Boçi duhet të besojnë qytetarët e Elbasanit?!

Ilir Floriri dhe Sali Nongrata nuk kanë asnjë lidhje me të ardhmen e Elbasanit. Ata po e përdorin Luçiano Boçin për të marrë peng Elbasanin e për ta përdorur si kolateral në revolucionin e tyre imagjinar për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës.

Duan të marrin peng ndërtimin e Bypass-it të Elbasanit, korridorin 8 me zgjerimin e Elbasan-Qafë Thanë, automotoparkun dhe shëtitoren buzë Shkumbinit, restaurimin e Kalasë e dhjetra projekte të tjera. Duan tu hedhin hi syve të qytetarëve! Duan ta ndalin projektin tonë për Elbasanin 2030!

Luçiano Boçi ka tradhëtuar edhe të djathtët duke ja shitur fytyrën dhe emrin e tij Ilir Metës! Luçiano Boçi ka tradhëtuar çdo qytetar të Elbasanit duke u ofruar si ofertë politike e një njeriu të shpallur non grata nga aleatët tanë strategjik. Kjo është arsye e mjaftueshme që asnjë qytetar i Elbasanit të mos e çojë votën dëm për ti dhënë oksigjen Sali Berishës dhe Ilir Metës.

Në 14 Maj, Luçiano Boçit do ti rezervohet një vend në Universitetin e Elbasanit ku mund të ushtrojë profesionin e tij ndërsa unë do vazhdoj përpara punën me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste.

Bashkia e Elbasanit është e elbasanasve që duan të shkojnë vetëm përpara dhe nuk do të jetë kurrë e nongratave dhe mëkëmbësve të tyre që e duan vetëm për ta përdorur për interesa personale.

#VetëmPërpara➡️
#KurrëMëMbrapa↙️
#KrenarepërPS❤️??