Dy persona kanë vdekur në Zagreb të Kroacisë dhe një tjetër në Bled të Sllovenisë, si pasojë e stuhive që kanë goditur këto shtete në pasditen e së mërkurës.
Lupka Hitrova nga Instituti i Trajnimit për Mjekësi Emergjente në Zagreb, ka thënë se dy viktimat – burra – kanë vdekur si pasojë e rrëzimit të pemëve.
“Ata kanë pasur lëndime të shumta në kokë”, ka thënë Hitrova.
Tetë persona janë plagosur, por në mesin e tyre nuk ka fëmijë.
Autoritetet sllovene kanë thënë se viktima në Bled e ka pësuar njëjtë – nga rrëzimi i një peme.
Sipas autoriteteve kroate, shërbimet e emergjencës i kanë pranuar 700 thirrje dhe vetëm zjarrfikësit kanë intervenuar në 50 raste.
Kryetari i Bashkisë së Zagrebit, Tomisllav Tomasheviq u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i thërrasin shërbimet e emergjencës vetëm në rast urgjence, pasi linjat janë bllokuar.
Stuhia, e përcjellë me shi të rrëmbyeshëm dhe erëra të forta, ka nisur rreth orës 16:00 dhe ka zgjatur rreth 20 minuta.
Ndërkohë është raportuar se stuhia e ka përfshirë edhe qytetin serb, Novi Sad.
Korrespodentët e Radios Evropa e Lirë kanë raportuar për pemë të thyera edhe atje dhe shi që e ka penguar qarkullimin në pjesët qendrore të qytetit.
Qytetarët është thënë se po raportojnë për dëme të konsiderueshme në shtëpitë e tyre./REL