Ish-deputeti i PD-së Astrit Patozi në një intervistë për Fax News ka folur në lidhje me mungesën e tij në Kuvendin e thirrur nga Komisioni i Rithemelimit në 30 Prill.
Patozi tha se pasqyra më e qartë e asaj që po ndodh në PD është mungesa e 35 deputetëve në Kuvend, dhe jo mungesa e tij, që do të sillte në fakt një fotokopje të PD-së së 2013.
Sipas politikanit të djathtë situata brenda PD-së pritet të qartësohet brenda muajit të ardhshëm, ku gjasat janë sipas tij që të ketë dy grupime, në njërën anë Berisha, dhe në anën tjetër kundërshtarët e tij, të cilët do të duhet të marrin guximin që të riorganizohen.
“Besoj se situata në PD do të qartësohet brenda Qershorit”, tha Patozi, ndërkohë që foli dhe për alencën mes PD së Berishës dhe LSI.
Patozi u shpreh se kjo aleancë do ti dëmtonte të dyja palët.
“Unë mendoj se kjo e bën më vunerabël opozitën, bashkimi i dy gjërave të vjetra nuk sjellë asgjë të re. Në këtë kuptim aleanca me Ilir Metën e dëmton opozitën, LSI ka një mal me akuza dhe paragjykime, nuk mendoj se PD bëhet më e fortë LSI në krah, dhe as mendoj se LSI do të përfitojë ndonjë gjë të madhe nga aleanca me Partinë Demokratike.
Janë personazhe që kanë halle të përbashkëta”, u shpreh Patozi, teksa zeroi shanset që të ketë një rikuperim të marrëdhënieve mes Sali Berishës dhe përfaqësuesve të ambasadës amerikane në Shqipëri.
“Unë besoj që gjasat janë që të rimëkëmbet raporti tashmë i prishur mes Berishës dhe SHBA janë zero, dhe ata i kanë bërë llogaritë. Unë mendoj se kjo është një gjyle më tepër në këmbët e opozitës që ishte e përçarë dhe përpara shpalljes non grata”, tha më tej Patozi.
(E.K/Faxweb.al)