Dy vite nga sulmi i eskortës së kryeministrit Edi Rama në Librazhd, prokuroria e Elbasanit, ka mbyllur hetimet për këtë ngjarje dhe ka marrë të pandehur 7 zyrtarë të Partisë Demokratike në Librazhd dhe Elbasan.
Zyrtarët janë marrë të pandehur për akuzën e “Organizimit, pjesemarrjes në grumbullime, manifestime të paligjshme”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Pengim i subjekteve zgjedhore”.
“Ora News”, ka mësuar se i pandehur është marrë Bujar Vreto, kryetar i PD në Librazhd, Aurel Bylykbashi ish-deputet i PD në Elbasan, Arjan Karriqi kryetar i PD në Prrenjas, dy sekretarët e PD, Leonard Ozuni dhe Erlind Gurra si dhe dy simpatizantë të PD, Bujar Kojku e Dashamir Boja.
Ngjarja ka ndodhur në 13 qershor 2019, ku në hyrje të Librazhdit, Partia Demokratike, ka organizuar një tubim, duke kryer bllokimin e rrugës me qëllim ndalimin e qarkullimit të automjeteve dhe më konkretisht të eskortës së kryeministrit, Edi Rama.
Megjithëse me anën e një shkrese të kryetarit të PD në Librazhd Bujar Vreto, ishte kërkuar marrja e një leje nga komisariati i policisë lokale për zhvillimin e tubimit në 13 qershor, strukturat policore e kanë cillësuar si të pamundur mbështetjen me efektivë policie të tubimit, pasi në këtë datë në Librazhd zhvilloheshin dhe dy aktivitete të tjera.
“…më datë 13 qershor 2019 është përcaktuar zhvillimi i dy aktiviteteve të organizuara nga subjekti Partia Socialiste Dega Librazhd dhe Federata Shqiptare e Futbollit, aktivitete për të cilat nga ana e Komisariatit të Policisë Librazhd, ishin angazhuar forca policie.
Nga policia e Librazhdit i është kërkuar subjektit “Partia Demokratike” që të përcaktoje një datë tjetër me qëllim angazhimin e foracve për një zhvillim normal të këtij tubimi…”-thuhet në shkresat përcjellëse.
Çfarë ndodhi më 13 qershor 2019
Por zyrtarët lokalë të PD dhe Prrenjasit, kanë refuzuar kërkesën e komisariatit dhe kanë dalë në tubim në datën 13 qershor 2019 në hyrje të qytetit të Librazhdit. Eskorta e kryeministrit Edi Rama, u qëllua me mjete dhe sende piroteknike, fishekëzjare, vezë dhe mjete të forta.
Gjatë kalimit të eskortës së Kryeministrit, ky grumbull personash ka tentuar të bllokojë rrugën dhe ka hedhur sende të forta, ka kundërshtuar punonjësit e policisë gjatë kryerjes së detyrës.
Në përfundim të kqyrjes së këtyre pamjeve janë identifikuar si organozatorë dhe që kryejnë këto veprime të kundraligjshme të pandehurit Aurel Bylykbashi, Bujar Vreto, Arjan Karriqi, Erlind Gurra, Bujar Kojku, Leonard Ozuni, dhe Dashamir Boja.
ora news