
Sulmuesi i Juventusit, Paulo Dybala, e ka pëlqyer një postim në Twitter në të cilin taktikat e trajnerit të vet, Andrea Pirlo, për ta lënë argjentinasin rezervë vihen në pikëpyetje.
Juventusi u ndal me një barazim 1:1 të shtunën në Serie A, në një ndeshje në të cilën Pirlo luajti me shumë ndryshime dhe Dybala e ngrohi stolin për 90 minuta, transmeton Gazeta Express.
“E pyes veten pse duhet ta marrësh Dybalan me vete në Crotone, nëse nuk e aktivizon asnjë minutë? Nëse nuk ka qenë në gjendje të luajë, a nuk kishte qenë më e logjikshme ta linte atë në Torino për të stërvitur?”, shkroi në Twitter Fabiana Della Valle, korrespondente e Gazetta dello Sport.
Dybala e kishte pëlqyer këtë postim, por pas disa minutave e kishte tërhequr pëlqimin.
Dybala ishte ndier i sëmurë në grumbullim me Kombëtaren e Argjentinës.
Si pasojë, ai nuk kishte luajtur në asnjërën prej ndeshjeve të Argjentinës në kualifikime për Kupën e Botës.
Pirlo nuk e aktivizoi fare kundër Crotones, edhe pse e ftoi në listën e rezervistëve. /Gazeta Express/

