8.5 C
Elbasan
Ballina KRONIKË “Dyshojmë vetëm tek Çapjat”, Ora News zbardh dëshminë e vëllait të Gentian...

“Dyshojmë vetëm tek Çapjat”, Ora News zbardh dëshminë e vëllait të Gentian Beqirit para se të vritej

0
407

Ora News siguron dëshminë e plotë të Saimir Beqirit, një prej vëllezërve të ekzekutuar nga hasmëria me fisin Çapja. Në vitin 2012, ai ka folur në prokurori për vrasjen e vëllait  Gentjanit dhe babait Nezirit. Në këtë deklaratë ngre dyshime për hakmarje nga Çapjat pasi u vra Sokol Çapja.

Për familjarët e Gentian dhe Nezir Beqirit të vrarë në 15 gusht 2012 në Elbasan, menjëherë pas vrasjes, shigjetat e dyshimit shkuan direkt tek anëtarët e familjes Çapja.

Ora News siguron të plotë dëshminë e Saimir Beqirit, vëllait të Gentjanit, i cili 4 vite më pas do të mbetej i vrarë nga një atentat me armë, teksa ishte duke punuar.

Për vrasjen e dyfishtë, Beqiri ishte një nga dëshmitarët kryesorë të prokurorisë.

Por kundërshtarët e tij e eleminuan fizikisht, duke mos i dhënë asnjë mundësi që të dilte para gjykatës për të dëshmuar për vrasjen e vëllait dhe babait.

Në muajin gusht 2012, Saimir Beqiri është pyetur në prokurori duke deklaruar se “kam qenë në shtëpi kur e kam marrë vesh se kishin vrarë vëllain Gentjanin dhe babain tim Nezirin.”

Saimiri deklaron se vëllai i tij Gentjan Beqiri, në vitin 2005 së bashku me disa shokë, kanë vrarë Sokol Çapjan.

Që nga ajo kohë ata si familje janë ndjerë të rrezikuar nga familja e Çapjave.

Në dëshminë e dhënë menjeherë pas ngjarjes, Saimir Beqiri, nuk jep ndonjë të dhënë konkrete në lidhje me ndonjë person konkret që mund ti ketë vrarë vëllain dhe babain.

Por ai ngre vetëm dyshime se autorët e vrasjes janë njerëz të familjes Çapja në Elbasan, pasi ata kanë kërkuar gjithmonë të hakmerren.

Dy ditë më parë, në Elbasan për këtë ngjarje të rëndë u arrestua Ardjan Çapja, ndërsa nipi i tij, Florenc Çapja, mundi të largohet nga Shqipëria në datën 16 mars 2021 në drejtim të Stambollit.

Nuk dihet me saktësi nëse Florenc Çapja ka pasur informacion ose jo për zhvillimin e operacionit, por tashmë ai është shpallur në kërkim.

Ndërsa xhaxhai i tij, Ardjan Çapja, sot është lënë në masën e “arrestit në burg”, seancë e cila është zhvilluar në ambjentet e spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë, pasi Çapja ka shfaqur probleme me zemrën.

ora news