Ballina KRONIKË E bujshme/ SPAK nis aksionin për bastet ilegale, çfarë tregojnë hetimet (emrat)

- SPAK ka hapur dosjen e basteve pa licencë, duke ndjekur paratë, bllokimin e licencave dhe rolet që kanë mbajtur tregun aktiv. Hetimi prek faqe online, pika bastesh, Policinë dhe grupet e lidhura me pushtetin…
- SPAK ka marrë në dorë hetimin e basteve pa licencë dhe ka hapur një dosje që nuk ndalet te faqet online, por shkon drejtpërdrejt te mënyra si është mbajtur gjallë tregu dhe kush ka pasur në dorë vendimet që e kanë lejuar këtë aktivitet të vazhdojë pa u ndalur.
- Në dosje janë përfshirë të paktën 58 faqe online që operojnë pa licencë, të regjistruara si pjesë e një hetimi penal të veçantë, ndërkohë që verifikimet janë shtrirë edhe mbi subjekte fizike që kanë funksionuar si pika bastesh pa leje. Në listën e subjekteve të evidentuara shfaqen bastet ‘333’, ‘CR7’, ‘B3T’, ‘Arena’, ‘Modig’, ‘Trodo Caffe’, ‘Fair Play Bast’, ‘Barcelona’ dhe ‘Viena’ subjekte që rezultojnë në dosjet hetimore dhe verifikimet e agjentëve në terren.
- SPAK po heton edhe mënyrën si është mbajtur i mbyllur tregu i ligjshëm i lojërave të fatit, duke krijuar hapësirë që bastet pa licencë të mbeten forma e vetme funksionale. Në qendër të këtij verifikimi ndodhet Gjergji Taho, personi që ka pasur në dorë dhënien e lejeve, për të cilin dosja po shqyrton se ka bllokuar dhënien e licencave dhe ka lënë tregun pa rrugë ligjore funksionimi për llogari të grupeve kriminale.
- Të dhënat që po analizohen flasin për 20 deri në 30 milionë euro në vit të ardhura nga bastet pa licencë, shuma që më parë kalonin në buxhetin e shteti dhe që sot ndahen mes pushtetarëve dhe personave që mbrojnë aktivitetin.
- Miliona euro nga bastet pa licencë kanë përfunduar në kulla, resorte, bare, restorante dhe hotele, duke treguar se bixhozi nuk ka qenë thjesht lojë, por burim parash për ndërtimin e pasurive që sot shihen hapur.
-
- Edhe një arrestim i kryer ditët e fundit ndaj një personi mjaft të rëndësishëm, të përfshirë në fushën e basteve të kryeqytetit dhe i lidhur me një ngjarje dhune në Palasë në dëm të një biznesmeni, shihet si sinjal se hetimi po kalon nga mbledhja e të dhënave te goditja konkrete.
- Me eliminimin e Ervis Martinajt, tregu i basteve nuk u mbyll dhe nuk u shkatërrua, por humbi figurën qendrore që e mbante të përqendruar dhe hyri në një fazë tjetër, ku aktiviteti u shpërnda, u zhvendos tërësisht online dhe kontrollin e morën grupe kriminale të lidhura me pushtetin, të cilat e kthyen bixhozin ilegal në para me thasë, pa taksa dhe pa asnjë lloj përgjegjësie publike.
- Zhdukja e Martinajt krijoi një boshllëk që u mbush menjëherë, duke treguar se aktiviteti nuk varej nga ekzistenca e një personi, por nga interesi për paratë që prodhonte. Në këtë kontekst, mënyra se si u riorganizua tregu dhe shpejtësia me të cilën kaloi në duar të tjera lë të kuptohet se eliminimi i figurës së vjetër hapi rrugën për një ndarje të re të basteve, më të shpërndarë, më të mbrojtur dhe më të lidhur me pushtetin sesa më parë.
- Tashmë mbetet të shihet deri ku do të shkojë SPAK me këtë dosje dhe nëse hetimi do të ndalet te faqet dhe emrat e njohur publikisht, apo do të prekë edhe ata që kanë marrë vendime, kanë garantuar mbrojtje dhe kanë përfituar nga paratë e basteve pa licensë… /Pamfleti