Lori Vallow Daybell, gruaja e përfshirë në një kult apokaliptik e dënuar më parë për vrasjen e dy fëmijëve të saj, u dënua të premten me dy dënime të tjera përjetë për komplotin për të vrarë ish-bashkëshortin e saj Charles Vallow dhe ish-nipin Brandon Boudreaux, i cili i mbijetoi një atentati.
Vendimi shënon fundin e gjyqit të saj të tretë dhe të fundit, duke vulosur një sagë kriminale që ka tronditur opinionin publik në SHBA për vite me radhë.
Gjatë seancës së dënimit në Arizona, të afërmit e viktimave reaguan ashpër ndaj Daybell.
Ti je një manipuluese, një parazit dhe një frikacake”, i tha asaj Kay Woodcock, gjyshja e djalit të vrarë, JJ Vallow.
Djali i vetëm i mbijetuar i Lori Daybell, Colby Ryan, tha se ajo i ka kthyer në tragjedi humbjet e familjes: “Sinqerisht, besoj se vetë Lori Vallow është tragjedia familjare.”
Larry Woodcock, gjyshi i JJ, e quajti atë “vrasëse” dhe shtoi: “Nuk do ta përmend më kurrë emrin tënd.”
Hetuesit thanë se Daybell komplotonte me vëllain e saj të ndjerë, Alex Cox, për të vrarë ish-bashkëshortin dhe për të përfituar nga polica e sigurimit të jetës.
Ajo akuzohet gjithashtu për një tentativë vrasjeje ndaj Boudreaux, i cili për pak sa nuk u vra nga një plumb pranë shtëpisë së tij.
Daybell ishte dënuar më parë në Idaho me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy fëmijëve të saj – Joshua “JJ” Vallow, 7 vjeç, dhe Tylee Ryan, 16 vjeç – të cilët u gjetën të groposur në pronën e burrit të saj aktual, Chad Daybell.