Juliana Shëngjergji nga Elbasani pasi ka kryer studimet e larta për inxhinieri ndërtimi është detyruar të nisë një kurs për parukeri në Qendrën e Formimit Profesional, pasi nuk arriti të gjente punë. Në këtë qendër çdo vit 1500 praktikantë ndjekin programet e formimit profesional ku certifikohen në profesione në ndryshme, si kuzhine, estetike, etj.Marrja e një zanati në kohë të shkurtër ka shtyrë shumë të reja të frekuentojnë kurset në Qendrën e Formimit Profesional në Elbasan. Më të kërkuarat mbeten profilet e estetikës dhe parukerisë, ndërsa djemte zgjedhin kursin për berber. Gjithashtu kuzhina është degë e preferuar dhe me numër të lartë kursantësh.
- “Unë kam mbaruar fakultetin për inxhinieri ndërtimi dhe nuk gjeta punë në Elbasan. Pastaj vendosa të ndjek kursin për parukeri se e kam pasur pasion që e vogël, por edhe për faktin se gjen punë shpejt. Unë e kam provuar dhe jashtë por s’dua të largohem më! Do të mbaroj kursin dhe do punoj këtu, shpresoj të vetepunësohem”, tha Juliana Shëngjergji.
Në Qendrën e Formimit Profesional në Elbasan zhvillohen 65 kurse të profileve të ndryshme ,ndërsa numri i kursantëve të certifikuar në një vit i kalon 1500. Drejtuesi i Qendres flet për mundësitë e larta që kanë kursantët për tu integruar në tregun e punës në Shqipëri dhe jashtë saj.
- “Dominon kursi i kuzhinës, më pas estetika dhe parukeria sepse është alternativë për vajzat që të vetëpunësohen. Moshat janë të ndryshme, nis nga 16-vjeç deri në 40 vjeç. Ne i çojmë dhe nëpër biznese që të marrin eksperiencë”, tha Krenar Xhemali, drejtor i QFP Elbasan.
Kursantët e kanë të garantuar vendin e punes, kjo për shkak të lidhjeve që ka qendra me me bizneset në qarkun e Elbasanit.
R.D/Shqiptarja.com