E ëma ngeci në vetting, por Hajdari beson te drejtësia: Ata që m’u hodhën si ujqër e morën përgjigjen

0
311

Deputetja, Rudina Hajdari, ka komentuar nga Kuvendi vendimin për shkarkimin nga detyra si gjyqtare të nënës së saj Fatmira Hajdari.

Hajdari: Dita e sotme ka filluar me një lajm për familjen time. Shumë njerëz më janë hedhur në fyt dhe thonë që unë rri në Kuvend për time më. Ato që më janë hedhur si ujqër sot e morën përgjigjen, unë besoj te Reforma në drejtësi, kur e them për time më unë e them për të gjithë, sepse shkoj përtej interesave të familjes sime.

Gjyqtarja Fatmira Hajdari e Gjykatës së Apelit të Tiranës u shkarkua sot nga detyra pas problemeve të shumta me pasurinë dhe mosdeklarimin e revokimit të dy vizave amerikane në kriterin e figurës.

Vendimi u shpall nga trupa gjykuese e kryesuar nga Roland Ilia dhe me anëtarë Firdes Shuli dhe Etleda Çiftja. Vetë Hajdari e konsideroi vendimin “të pritshëm” pas seancës në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ndërsa avokati i saj, Maks Haxhia aludoi se “KPK po pastronte me lista”.

Fatmira Hajdari është e veja e Azem Hajdarit, deputetit dhe njërit prej drejtuesve të lëvizjes së dhjetorit ’90, i cili u vra në vitin 1998 si dhe nëna e deputetes Rudina Hajdari. Ajo e ka filluar karrierën në gjyqësor në vitin 2003, ndërsa në korrik 2013 u emërua gjyqtare në Apelin e Tiranës.

/Ora News.tv/