Aplikacioni kinez TikTok, i përdorur së tepërmi nga moshat e reja në mbarë botën, raportohet se ka shkelur politikat e Google, duke mbledhur të dhëna nga telefonat me sistem operimi Android.
Sipas një artikulli në Wall Street Journal, aplikacioni ka mbledhur të dhëna të përdoruesve pa dijeninë e tyre. Madje e ka bërë këtë gjë edhe pasi përdoruesit kanë ndryshuar opsionet e privatësisë duke mos i dhënë të drejtë në aksesimin e të dhënave si vendndodhja.
TikTok është instaluar nga Google Play Store rreth 89 milion herë. Po ashtu u gjet se aplikacioni mblidhte dhe ruante për të paktën 16 muaj adresën unike MAC, çka e ndryshoi vetëm në një përditësim nëntorin e kaluar, raporton newsbomb.al.
Përdorues të shumtë gjithashtu kanë zbuluar se TikTok akseson dhe lexon “clipboard”-in në çdo pajisje. Clipboard është teksti apo informacioni që dikush e kopjon në telefonin e tij, dhe ruhet derisa kopjohet një tjetër tekst.
Qeveria amerikane i ka dhënë ultimatum kompanisë kineze ByteDance, ta shesë aplikacionin e saj TikTok te një kompani amerikane, ose në të kundërt do të ndalohet plotësisht në SHBA, kjo pas shumë shqetësimeve dhe indicieve se aplikacioni mund të përdoret për spiunazh.
Aktualisht gjiganti Microsoft ka bërë një ofertë për blerjen e TikTok për rreth 40 miliard dollarë.
G.EXPRES