Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, priti në një takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Nancy VanHorn. Takimi u fokusua në forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e administrimit doganor, sigurisë kufitare dhe lehtësimit të tregtisë, duke theksuar rëndësinë e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë bashkëbisedimit, Beja prezantoi prioritetet kryesore të institucionit që ai drejton, duke vënë theksin te modernizimi i shërbimeve doganore, rritja e transparencës dhe integritetit institucional, si dhe përmirësimi i klimës së biznesit përmes procedurave të thjeshtuara dhe të standardizuara. Ai nënvizoi angazhimin e Doganës Shqiptare në luftën kundër trafiqeve të paligjshme, kontrabandës dhe korrupsionit, si dhe në garantimin e kontrollit efektiv të lëvizjes së mallrave në përputhje me standardet ndërkombëtare të sigurisë.
VanHorn vlerësoi rolin kyç të Doganës Shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe trafikut të narkotikëve, rritjen e të ardhurave buxhetore dhe krijimin e një mjedisi të favorshëm për investime. Ajo theksoi se Shtetet e Bashkuara do të vijojnë të mbështesin përpjekjet për rritjen e kapaciteteve profesionale, forcimin e sigurisë kufitare dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Palët diskutuan gjithashtu mbi mundësitë konkrete për thellimin e asistencës teknike, shkëmbimin e praktikave më të mira dhe avancimin e projekteve që kontribuojnë në rritjen e eficiencës së administratës doganore dhe lehtësimin e tregtisë së ligjshme. Respektimi i standardeve ndërkombëtare, garantimi i sigurisë në zinxhirin e furnizimit dhe shërbimi cilësor ndaj qytetarëve dhe komunitetit të biznesit mbeten prioritete thelbësore të Doganës Shqiptare, në funksion të zhvillimit ekonomik dhe integrimit të mëtejshëm të vendit në tregjet ndërkombëtare.


