E pandehur nga SPAK dhe nën hetim nga Prokuroria,Rrumbullaku shkarkon nga Policia Elona Gogon

0
387

Dy ditë pas denoncimit nga “Ora News” të rastit për emërimin e Elona Gogos, motrës së drejtoreshës së Agjencisë së Kadastrës Dallëndyshe Bicit, në pozicionin e specialistes tek Drejtoria e Teknologjisë, kreu i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku ka vendosur të revokojë emërimin e saj dhe të shkarkojë zonjën Gogo.

Lajmin për shkarkimin e ka konfirmuar për gazetarin Elton Qyno, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.

Sipas Rrumbullakut, Elona Gogo, ka paraqitur të dhëna jo të sakta mbi gjëndjen gjyqësore.

Drejtori i policisë u shpreh se: “Kush shkel ligjin, mban dhe pasojat. S’ka kompromis për mos respektim të ligjit nga kandidatët apo aplikantët”.

DENONCIMI I DY DITEVE ME PARE I ORA NEWS

Një emërim aspak i përshtatshëm me CV personale dhe që duket më tepër si pozicionim politik dhe karshillëk që i bëhet Strukturës së Posaçme SPAK, ka ndodhur në datën 3 nëntor 2023 në aparatin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Me firmën e Drejtuesit Madhor, Muhamet Rrumbullaku, në 3 nëntor është emëruar për një periudhë të përkohshme, në Drejtorinë e Menaxhimit të Informacionit dhe Mbrojtjes së të Dhënave në sektorin e Kartotekës dhe Arkivës, Elona Gogo.

DENONCIMI I ORA NEWS/ E pandehur nga SPAK dhe nën hetim nga

Para se të merrte këtë detyrë, Gogo ka shërbyer si Drejtuese e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë së Tiranës.

Emri i Elona Gogos, ka dalë në disa afera korruptive, ku zyrtarisht ajo rezulton të jetë marrë e pandehur nga SPAK dhe dërguar në gjykatë me Sonila Qaton e ARRSH-së, dhe 8 zyrtarë të tjerë për abuzimin me tenderin e rrugës Kardhiq – Delvinë.

Sipas SPAK-ut, Gogo dhe anëtarët e tjerë të komisionit skualifikuan nga gara kompaninë “Gjoka Construction” sh.a., duke favorizuar kompaninë fituese “Vëllezërit Hysa”.

Aktualisht Gogo është në proces gjykimi për këtë çështje në SPAK, ndërsa në Prokurorinë e Tiranës ndaj Gogos është hapur një tjetër dosje penale.

Në këtë dosje Gogo dhe motra e saj, Drejtoresha e Kadastrës, Dallëndyshe Bici, janë vënë nën hetim për akuzën e “Shpërdorimit të Detyrës”.

Por pavarësisht se ndaj Elona Gogos qëndrojnë të hapura dy çështje penale, një në SPAK dhe tjetra tek Prokuroria Tiranës, ato nuk kanë ndikuar në uljen në detyrë të Gogos, por përkundrazi, në ngritjen e saj.

Influenca politike që ka në qeverinë “Rama” dhe mbështetja që i vjen nga e motra, Dallëndyshe Bici, ka sjellë këtë katapultim politik të Gogos, pikërisht në Drejtorinë e Kartotekës dhe Teknologjisë së Informacionit. Gogo nuk ka arsimin përkatës për vendin e ri të punës.

Elona Gogo është drejtuesja e fundit në radhë që i bashkëngjitet një “ekipi të ri”, që sipas një deklarimi publik të Ministrit të Brendshëm Taulant Balla, datë 30 gusht 2023, “ka marrë përsipër një ndryshim tërësor të mënyrës së administrimit teknik dhe sigurisë…”

Pjesëtarët e “ekipit të ri” të ministrit Balla janë: Ervin Muço i emëruar në mënyrë të paligjshme në postin e Drejtorit të Departamentit të Tenkologjisë për Informacionin dhe graduar, në kundërshtim me Ligjin për Gradat, “Drejtues i Lartë”.

Në këtë detyrë Ervin Muço vinte pas bëmave të rrjedhjes së të dhënave të qyetarëve shqiptarë nga databaza e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ngjarje e vitit 2021, ku ishte marrë “nën hetim në gjendje të lirë”.

Një tjetër anëtare e “ekipit të ri”, emëruar me firmën e Ministrit Balla është edhe Ervina Gjana, drejtoresha e Drejtorisë së Antikrimit Kibernetik, edhe kjo e sjellë në këtë post në mënyrë të paligjshme, pa arsim përkatës dhe për më tepër me probleme në të shkuarën.-ora news