Aventura e kroatit Igor Tudor te Lazio mund të konsiderohet e përfunduar.
Palët kanë vendosur të mos vazhdojnë së bashku dhe aktualisht po punojnë për zgjidhjen e kontratës.
Sapo të zyrtarizohet “divorci” me Tudorin, Lazio do të shpallë trajnerin e ri. Presidenti Lotito dhe drejtori sportiv Fabiani po punojnë për të identifikuar zëvendësuesin e kroatit.
Idetë e ndryshme për planifikimin për të ardhmen dhe tensioni i klubit në ditët e fundit kanë shtyrë Igor Tudorin dhe Lazion të ndajnë rrugët.
Në takimet e ditëve të fundit, palët ishin përpjekur të arrinin një marrëveshje, por distancat dukeshin të pakalueshme, sidomos për çështjen e skuadrës.
Në fakt, Tudor kërkoi të revolucionarizonte organikën, një ide diametralisht e kundërt me atë të Lotitos dhe Fabianit.
Më tej, mëngjesin e sotëm, është shfaqur një pankartë nga “Curva Nord” kundër Tudorit, i cili javët e fundit nuk kishte ndier atmosferën pozitive as në dhomat e zhveshjes.
Pasi pasoi Maurizio Sarrin në krye të Lazios në fund të marsit të kaluar, Igor Tudor grumbulloi 18 pikë në 9 ndeshje të Serisë A, me një mesatare prej 2 pikësh për ndeshje, duke zënë vendin e shtatë.
Në Kupën e Italisë, megjithatë, bardhekaltrit u eliminuan nga Juventusi në gjysmëfinale.
Tashmë ka nisur kërkimi për trashëgimtarin e Igor Tudorit te Lazio. Ndër hipotezat është rikthimi i Miroslav Kloses. Nuk përjashtohet rikthimi i Maurizio Sarrit./ supersport
Top Channel