Mediat në Greqi kanë publikuar pamje nga momenti kur autoritetet në vend kanë gjetur të plagosur një 34-vjeçar shqiptar pasi iu bë atentat. Shqiptari u qëllua me armë mëngjesin e së dielës ndërsa tashmë ndodhet në spital në gjendje kritike për jetën.
Siç duket edhe nga pamjet, 34-vjeçari shqiptar u gjet i shtrirë në një trotuar anës rrugës. Ndaj tij u hap zjarr ndërsa ndodhej në makinë, por pastaj është nxjerrë dhe është lënë në rrugë. Sipas informacioneve paraprake, policia beson se viktima ndodhej në të njëjtën makinë me autorët.
Skenari më i mundshëm është që ai u qëllua ndërsa makina lëvizte dhe më pas u hodh në rrugë pasi makina ndaloi. Në video, oficerët e policisë përpiqen që t’i ndalojnë gjakderdhjen nga këmba e majtë ku kishte një plagë serioze plumbi.
Mediat greke shkruajnë se shqiptari ka një të shkuar me rekorde kriminale në Greqi. Dyshohet se shkak i plagosjes të jenë bërë konfliktet për pazare droge dhe larje hesapesh mes bandave. Ngjarja e rëndë ndodhi më 10 tetor në urën Kalyftaki në zonën e Kifissias në Greqi. /abcnews.al/