Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmë qytetin Muggia, pranë Triestes në Itali. Një grua 55-vjeçare me shtetësi ukrainase ka vrarë djalin e saj nëntëvjeçar duke i prerë fytin me një thikë kuzhine. Sipas mediave italiane, gruaja jetonte e ndarë nga bashkëshorti i saj, një shtetas italian 58-vjeçar, i cili kishte kujdestarinë e fëmijës pas ndarjes.
Djali ndodhej në banesën e nënës për vizitë, siç i ishte lejuar nga gjykata. Pikërisht gjatë kësaj vizite ndodhi tragjedia.
Alarmi është dhënë nga babai i fëmijës, pasi nuk kishte mundur të kontaktonte me ish-bashkëshorten. Kur policia dhe zjarrfikësit kanë mbërritur në banesë, fëmija ishte tashmë i pajetë dhe trupi i tij gjendej në banjë. Gruaja kishte plagë në krahë, pasi kishte tentuar të vetëdëmtohej, dhe është dërguar në Spitalin “Cattinara” të Triestes, ku ndodhet nën kujdes mjekësor dhe në gjendje arresti.
Autoritetet lokale kanë bërë të ditur se gruaja ishte nën mbikëqyrjen e Qendrës së Shëndetit Mendor dhe se situata familjare monitorohej nga shërbimet sociale.
“Situata ishte monitoruar që kur lindi foshnja; ishte e vështirë, por jo dramatike” deklaroi kryetari i bashkisë së Muggia-s, Paolo Polidori, i cili ka shpallur një ditë zie për komunitetin.
Fëmija ishte nxënës i klasës së katërt në shkollën fillore sllovene të Muggia-s, ku tashmë po organizohet mbështetje psikologjike për shokët e klasës.
“Komuniteti është i shkatërruar. Kam pasur tashmë një takim me shërbimet sociale: po përpiqemi të qëndrojmë sa më afër të jetë e mundur. Familja është pjesë e komunitetit, madje edhe prifti i famullisë i njeh ata” shtoi Polidori.
Hetimet për ngjarjen vazhdojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Triestes, ndërsa pritet që gruaja të transferohet në burg pas trajtimit mjekësor.


