E rëndë/ Ndodhej për pushime në Sarandë, turisti francez bie nga lartësia në gjendje të dehur dhe humb jetën

0
4

Një ngjarje tragjike është shënuar në orët e vona të mbrëmjes në qytetin bregdetar të Sarandës, ku një turist francez ka humbur jetën pas një rënie fatale nga një lartësi në rrugën “Butrinti”.

Burime zyrtare bëjnë me dije se viktima është 28-vjeçari Marvin Feneuille, i cili kishte ardhur prej disa ditësh në Sarandë për të kaluar pushimet së bashku me disa shokë. Në momentin e ngjarjes, ai ishte i shoqëruar nga miqtë e tij dhe thuhet se ishin në gjendje të dehur, teksa po ecnin në këmbë pranë zonës së njohur “Bougainvillea”.

Sipas dëshmitarëve dhe informacioneve paraprake, i riu ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë nga një lartësi e ndodhur pranë një resorti, ku ka një hapësirë të hapur që përbën rrezik për kalimtarët, veçanërisht në kushte të vështira.

Rënia ka rezultuar fatale për 28-vjeçarin, i cili ka ndërruar jetë në vend. Pavarësisht se ambulanca ka mbërritur me shpejtësi në vendngjarje, në spital ai është deklaruar i vdekur.

 

 

Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e sakta të ngjarjes, ndërsa trupi i pajetë i të riut është dërguar në morg për ekspertizë mjeko-ligjore.