
Ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës në Tiranë, Gjelosh Rushaj, i cili u aksidentua të enjtën në Dukagjin.
Gjelosh Rushaj ishte duke u kthyer me kamionçinin e tij drejt Shkodrës nga fshati Plan i njësisë administrative Pult të Dukagjinit kur doli nga rruga, duke përfunduar në humnerë.
Ai është dërguar me anë të helikopterit në spitalin e Traumës, por për shkak të plagëve të marra, përkundër përpjekjeve të mjekëve, nuk arriti të mbijetojë.
Kujtojmë se në nëntor të vitit të kaluar, familja Rushaj humbi edhe 2 pjesëtarë të tjerë, babë e bir, Pjeter dhe Jason Rushaj, të cilët u përpin nga lumi në zonën e Boges në Malësi të Madhe.
Ndërkohë, duhet theksuar se Rushaj ka qenë edhe ndër pjesëmarrësit në protestat në Shkodër për rrugën e Dukagjinit. Një rrugë që ka marrë dhjetëra jetë njerëzish ndër vite, ku viktima e radhës është pikërisht Gjelosh Rushaj.
