Nën kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Ervin Saraçi ka pësuar vdekje klinike.
Lajmi i hidhur vjen vetëm disa ditë pasi 37-vjeçari pësoi goditje cerebrale dhe u nis me urgjencë drejt Tiranës, ku iu nënshtrua një operacioni të ndërlikuar.
Pas operacionit u raportua se Saraçi ishte në gjendje të qëndrueshme, por fatkeqësisht sot bëhet me dije se ai ka pesuar vdekje klinike.
Ervin Saraçi ishte një djalë plot energji, gjithmonë i qeshur dhe i dashur me të gjithë. Saraçi ishte i apasionuar pas aktiviteteve fizike, ishte anëtar i shoqatës së Alpinistëve në Elbasan.
Ervin Saraci ka mbaruar studimet e larta për gjuhën Frenge në Elbasan, mandej kishte kryer Masterin Shkencat politike në Belgjike. Në vitin 2006-2007 punoi si mësues i gjuhës Frenge në Shkollën e Mesme të Përgjithshme në Peqin. Në shtator të vitit 2011 -2013 iu besua Drejtimi i kabinetit të Kryetarit të bashkisë Elbasan. Në vitin 2013-2015 u emerua drejtor i drejtorisë së Kujdesit Social po në bashkinë Elbasan e më pas u rrit në detyrë, duke zënë postin e nënkryetarit të bashkisë, post të cilin e mbante deri tani. 37 vjeçari ishte i martuar dhe babai i një djali 9-vjecar.