Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, në ditën e tretë të gjykimit ka mohuar të gjitha akuzat e Prokurorisë, ndërsa ka thënë se “nuk e kuptoj logjikën e aktakuzës ndaj meje”.
Në fjalën e tij, Krasniqi është shprehur se asnjëherë nuk ka qenë i përfshirë në asnjë vrasje, në asnjë burgosje apo në asnjë formë të presionit ndaj kujtdo qoftë.
“Çdo njeri që flet të vërtetën le të thotë se unë Jakup Krasniqi asnjëherë s’kam qenë i përfshirë në asnjë vrasje e në asnjë burgosje apo në asnjë formë të presionit ndaj kujtdo qoftë. E kam pasur të qartë se cilat mjete duhet të përdoren për të realizuar çlirimin kombëtar në luftën kundër atyre që ushtruan gjenocid ndaj nesh”, ka deklaruar ai.
Krasniqi u shpreh se është absurde që ai të akuzohet për persekuptimin e anëtarëve të LDK-së, ku vetë ai ka qenë një prej anëtarëve të kësaj force politike.
“Është basurde të akuzohem për persekuptimin e anëtareve të LDK-së, unë vetë isha anëtar i LDK-së, familjarët e mi ishin antërarë të LDK-së e bashkëluftëtarët e mi. Vetëm një mendje e coroditur mund t’i ketë lindur ideja se unë kam mundur të jem pjesë e persekutimit tim, të familjarëve të mi dhe bashkëluftetarëve të mi”, tha Krasniqi në seancën ku paraprakisht foli mbrojtja e tij.
“Unë e urrej dhunën, vrasjen e torturat, jo pse janë ushtruar ndaj popullit tonë e meje, por i konsideroj tepër të ulëta dhe cnjerëzore”, u shpreh ai ndër të tjera.
Krasniqi para trupit gjykues foli edhe për dënimet dhe torturat që kishte përjetuar nga regjimi serb gjatë demonstratave të 81’ës.
“U ushtrua dhunë e tmerrshme edhe ndaj meje. Gjatë dy proceseve hetuese që janë zhvilluar ndaj meje 81/82 kam përjetuar tmerre që s’përshkruhen me fjalë. Duart dhe këmbët i kisha gjithmonë të ënjtura nga rrahjet. Pas dy proceseve të hetuesisë më dënuan dy herë. Më 81-ën me dënuan me 14 vjet burg, 92 me 15 vjet burg.
I përmenda torturat që u ushtruan ndaj meje për të nënvizuar një fakt të pakontestueshëm. Asnjë hetues, asnjë prokuror dhe asnjë gjyqtar të Jugosllavisë që ishin përgjegjës për tortura pskike dhe fizike, që përjetova gjatë asaj kohe nuk ka qenë as objekt kritike në shkrimet e mia, i kam lënë të qetë që t’i brejë ndërgjegjja për veprimet e tyre kriminale”.