Edhe Enver Hoxha në Tik Tok

0
22

Enver Hoxha është ende gjallë… të paktën në rrjete sociale. Si dhe i pazëvendësueshëm në mendjen e disa shqiptarëve, herë me vetëdije e herë jo, të cilët po përdorin teknologjinë, sidomos platformën e shumëpëlqyer nga të rinjtë TIK TOK, për të vijuar propagandën komuniste me idealizimin e figurës së Hoxhës.

Në dokumentarin e kësaj të diele në Exclusive u trajtua fenomeni i prezencës së diktaturës online duke u përpjekur të kuptojmë se pse periudha komuniste dhe figura e Enver Hoxhës vazhdon të jetë e klikueshme në rrjetet sociale, si dhe arsyet pse një pjesë e shqiptarëve e shikon atë kohë si një epokë të “artë” dhe të munguar sot.

Përmes intervistave e analizave me përdorues të rrjeteve sociale, historianë, ekspertë komunikimi e teknologjie, akademikë u shpalos se çfarë qëndron pas kësaj nostalgjie, dhe rolin që propaganda luan ende, edhe në një epokë të re teknologjike.

Jona Cenameri, studente e gazetarisë: Fillova duke kërkuar me fjalë kyçe, me emrin e diktatorit dhe gjeta që kishte 300 faqe deri në 600 mijë shikime, fjalime të tij, foto duke puthur flamurin pra përmbajtje që të thotë atëherë kemi qënë më mirë, më të moralshëm…

Jonila Godole, studiuese e shkencave të komunikimit: Të rinjtë nuk kanë shumë informacion për të shkuarën. Po të mbetemi te rrjetet sociale ku të rinjtë sot informohen në Tik Tok dhe instagram, jo thjesht zbaviten siç ne kemi menduar në fillim, një pjesë e madhe e informacioneve aty sidomos për diktaturën, janë të manipuluara, të ndryshuara dhe të nxjerra jashtë konteksit.

Artan Fuga, akademik: E pyesin “Kur ishe më mirë: atëherë apo tani? Ai thotë sigurisht atëherë! Si atëherë i kthehen?! Ti atëherë vuaje… oh, atëherë vuaja por isha i ri!”.

 

Top Channel