Ekonomia e sëmurë, por qeveria po përdor mjekimin e gabuar

0
232

Pano Soko, i cili më parë ka punuar në Programimin Buxhetor në Ministrinë e Financave, thotë se pasojat që ka krijuar pandemia në ekonomi nuk riparohen duke investuar në rrugë.

Sot kemi një problem me njerëzit që kanë mbetur pa punë, bizneset që për shkak të pakësimit të xhiros ditore, po mbyten në detin e detyrimeve fikse mujore. Ekonomia ka nevojë për “ilaçe” që adresojnë këto lloj simptomash, por investimet publike nuk zgjidhin gjë kur vjen puna tek këto simptoma, thotë Soko.

A mendoni se përqendrimi i fondeve publike për investime në infrastrukturën rrugore është në përputhje me nevojat që kanë lindur në ekonomi prej emergjencës që ka krijuar pandemia COVID-19?

Mënyra sesi po e mendojmë qasjen ndaj zgjidhjes së situatës është totalisht e gabuar. Kjo që po kalojmë nuk është një krizë që e gjeneroi ekonomia. Kjo është një krizë sanitare, që ndikoi ekonominë. Ekonomia ishte duke performuar normalisht, kur, për shkak të një emergjence sanitare dhe masave për shpëtimin e saj, u godit aktiviteti ekonomik i kompanive dhe familjeve, si dhe prodhoi një krizë konsumi.

Paketat me investime, janë ilaçe për kriza që prodhohen nga ekonomia, si stimuj të jashtëm, kur motori i ekonomisë “lodhet” dhe kërkon stimuj të jashtëm që të kthehet në gjendjen e mëparshme, jo për kriza konsumi që shkaktohen nga veprime nga jashtë ekonomisë.

Për analogji, imagjinoni dikë që, duke ecur në rrugë rrëzohet, vret këmbën, shkon në spital dhe i japin ilaç për zemrën. Se helbete, ilaç për ilaç. Por ilaçi i zemrës duhet kur sëmuresh nga zemra, pacienti nuk po vuan nga zemra, është goditur në këmbë, duhet t’i jepet mjekim për këmbën.

Kjo është ajo që po ndodh sot. Po “kurohet” ekonomia me ilaçe që s’kanë lidhje me sëmundjen. Sot kemi një problem me njerëzit, të cilët kanë mbetur pa punë, familje që, në rastin më të mirë, thjesht kanë ulur standardin e jetesës (duke reduktuar shpenzimet), dhe në rastin më të keq, nuk po përballojnë dot mbijetesën.

Kemi një problem me bizneset që, për shkak të pakësimit të xhiros ditore, po mbyten në detin e detyrimeve fikse mujore që s’po janë në gjendje t’i paguajnë dot dhe rrjedhimisht, s’po përballojnë dot mbijetesën dhe po fshijnë vendet e punës. Ekonomia ka nevojë për “ilaçe” që adresojnë këto lloj simptomash.

Investimet publike nuk zgjidhin gjë kur vjen puna te këto simptoma. Shtesa në vendet e punës nga angazhimi në ndërtimin e një rruge p.sh., do të jetë minimal për të mos thënë i pakonsiderueshëm; po ashtu kapilarizimi i kapitalit të injektuar në ekonomi do të kërkojë shumë kohë, duke mos ndihmuar në zgjidhjen e problemit akut që kemi, dhe njëkohësisht. Pra në thelb, kjo formë nuk do të sjellë ndihmën e shumëpritur, aq më tepër kur këtu bëhet fjalë për formën më ineficiente të shfrytëzimit të kapitalit siç është PPP.

Qeveria, nëse ka disponibël (apo qoftë edhe potencial kredimarrës) aq miliarda euro sa pretendon të hedhë në investime publike, atëherë le t’ua japë në formë transfertash bizneseve që po luftojnë për mbijetesë, me qëllim që të mbajnë vendet e punës të mos i shuajnë. Të hartojë paketa për turizmin, i cili këtë vit do të jetë gjysmë i vdekur. Le të asistojë bizneset me detyrimet e qirave, taksave lokale apo detyrime të tjera fikse që akumulohen. Pra le të orientohet drejt shërimit të kësaj plage që u krijua në ekonomi, jo të shpenzojë para në projekte që nuk kanë ndikim.

 

A mendoni se rritja e investimeve në infrastrukturën rrugore me borxh ka efektivitet, kur disa prej projekteve nuk janë ekonomikisht fizibël (Rruga e Arbrit)?

Për ta ndarë konceptin nga shembujt e personalizuar. Unë besoj se investimet në infrastrukturë janë të domosdoshme, kur është koha e duhur. Dhe natyrisht burimi i financimit të këtyre projekteve infrastrukturore, do të jetë borxhi publik dhe deri këtu çdo gjë është ok.

Problemi me ineficencën për rastet e personalizuara të projekteve specifike, nuk ka lidhje me konceptin, por vjen si pasojë e keqmenaxhimit me apo pa dashje të gjithë procesit. Pra, fakti që Rruga e Arbrit është projekt jofizibël, nuk ka lidhje me mënyrën e financimit të saj, por me faktin që aty humbasin paratë 1) për shkak të korrupsionit masiv; 2) për shkak të paaftësisë profesionale të ekipit që e ka ideuar, hartuar, ka bërë studimin e fizibilitetit, e ka verifikuar, certifikuar dhe zbatuar projektin.

Parimi teorik i ineficencës është i thjeshtë. Një projekt është ineficient kur ai kushton më tepër sesa vlen. Pra, kur një gjë e ka çmimin që paguan më të lartë sesa vlera që përfiton, atëherë këtu kemi ineficencë. Pavarësisht se cilët janë faktorët (pra a po paguajmë më shumë sesa duhet për shkak të korrupsionit, apo paaftësisë së inxhinierëve, apo po përfitojmë më pak sepse e kemi gabim studimin e fizibilitetit të projektit) projekti ineficent është një vrimë nga ku rrjedh kapitali dhe humbet.

Thënë këtë, rritja e investimeve në infrastrukturë, duhet të vazhdojë të bëhet (kur parametrat fiskalë të na e lejojnë) qoftë me kapitalet e vetë qeverisë apo dhe me borxh publik, por duhen korrigjuar kushtet. E para duhet ulur korrupsioni. Me sasinë aktuale të korrupsionit, asnjë projekt nuk do të jetë fizibël. E dyta, duhen përzgjedhur projektet me kujdes.

Konkretisht – imagjinojmë sikur duam të ndërtojmë një rrugë që kushton 10 milionë euro, që do t’i marrim borxh dhe do t’i paguajmë për 10 vjet, pra nga 1 milion euro në vit. Atëherë, që ky projekt të marrë dritën jeshile, duhet që vëllimi ekonomik i shtuar vetëm për shkak të rrugës, të jetë të paktën 4-5 milionë euro në vit, me qëllim që nga ky vëllim 4-5 milionë euro, shteti të marrë 1 milion euro taksa (me raportin teorik ¼) dhe me këtë 1 milionësh të paguajë këstin e kredisë që është marrë për rrugën. Ky duhet të jetë limiti i poshtëm për çdo projekt. Pra, projekti, minimalisht të nxjerrë paratë e veta.

Nëse ky parim aplikohet për çdo projekt, çdo para e shpenzuar është eficiente, pavarësisht se merret borxh apo është para taksash.

 

Cili duhet të jetë vizioni i qeverisë për të përdorur burimet e veta financiare, për të zhvilluar ekonominë në realitetin e ri që ka krijuar pandemia?

Gjëja e parë fare duhet të jetë ringritja dhe kontrolli i dëmit. E thashë dhe pak më lart, në vend të paketave me investime të fuqishme që ndihmojnë pothuajse aspak në shtimin e vendeve të punës dhe që e kapilarizojnë kapitalin në ekonomi me shumë vonesë, qeveria paraprakisht duhet të ndërhyjë me injektim direkt kapitali te kapilarët e konsumit, familjet e prekura dhe bizneset. Transferta qeveritare në vend të investimeve qeveritare. Kjo do të shërbejë për tre gjëra.

E para, për të rigjeneruar konsumin. Bizneset do të paguajnë qiratë, dritat, ujin, detyrimet e krijuara nga mbajtja mbyllur pa aktivitet. Njerëzit do të kenë kapital mjaftueshëm për të ruajtur nivelin e shpenzimeve të tyre të konsumit, duke bërë blerjet e parashikuara, duke mos anuluar aktivitetet e planifikuara etj. Pra të dy këto elemente do t’i siguronin në një kohë të shpejtë dhe në një mënyrë shumë efikase “karburantin” e munguar ekonomisë për t’u rikthyer në stadin e parakrizës.

E dyta do të rikthejë besimin tek ekonomia. Mosbesimi për ekonominë është si ndryshku për hekurin. Njerëzit duhet të krijojnë besim. Dhe paketat e rimëkëmbjes si për bizneset dhe për familjet, do të krijonin një mjedis besimi, që do t’iu vriste “frikën” dhe mosbesimin të gjithëve.

E treta do të ruajë të padeformuar strukturën aktuale të ekonomisë. Struktura aktuale e ekonomisë, me sektorët aktualë që funksionojnë, na pëlqen apo s’na pëlqen, është një rezultante e kushteve dhe ngjarjeve që tregu i lirë ka prodhuar. Pra fakti që ne kemi bujqësi, turizëm, shërbime, argëtim etj., sipas peshës specifike të secilës, qoftë në ekonomi, qoftë në punësim, është rezultat i gravitetit të tregut të lirë që nuk mund të deformohet me “dhunë”.

Fakti që këtu po mbyllen biznese turizmi, duhet menduar si të rikuperojmë ato vende pune në turizëm, jo të fillojmë investime në rrugë apo infrastrukturë. Sepse po na ikin nga puna kamerierët dhe po na futen në punë punëtorë llaçi. Struktura e ekonomisë dhe vendeve të punës nuk ndryshohet me dhunë. Ajo do strategji të mirëmenduara dhe në periudha afatgjata.

 

A ka vend për rritjen e eficiencës së përdorimit të fondeve publike sidomos të zërit të investimeve, në kushtet e reja që ka krijuar pandemia?

Është jetike për mendimin tim. Nëse deri dje, me atë nivel borxhi që ne kishim, teorikisht edhe mund të toleronim diçka në përdorimin ineficient të fondeve publike, në kushtet e reja post-pandemike, eficenca e përdorimit të fondeve publike është jetike. Kjo për arsyen e thjeshtë sepse kemi shumë pak fonde. I kemi si ujët e pakët. Ekonomia po lëngon, çka do të thotë që të hyrat nga taksat do të jenë të pakta.

Borxhi publik, bashkë me PPP-të ka shkuar në nivelin e 96-97% dhe po i afrohet frikshëm 100% të PBB-së, gjë që do të thotë që edhe borxh nuk mund të marrim më. Nga krahu tjetër, fondet e detyrueshme për t’u paguar nga buxheti si pensione, paga dhe këstet e borxheve sa vijnë e rriten. Kjo na çon në kushtet e një deficence të frikshme. Dhe miradministrimi i fondeve është i domosdoshëm, edhe pse edhe ai jo i mjaftueshëm.

Që të kalojmë pa tragjedi këtë situatë, na duhet të paktën të miradministrojmë fondet publike, nëse duam ta kalojmë pa drama, duhet të bëjmë shumë më tepër sesa thjesht miradministrim fondesh. Por miradministrimi është jetik. Përndryshe mund të përballemi shumë shpejt me një faliment të mundshëm.

 

Çfarë modeli duhet të aplikohet për të frenuar ndikimin negativ të pandemisë ose për ta shndërruar edhe në përfitim situatën që ka krijuar pandemia?

Siç e përmenda dhe më lart, qasja që kemi ndaj situatës është shumë e rëndësishme. Kontrolli i dëmeve është njëri krah. Nga krahu tjetër, kjo situatë pritet të krijojë dhe disa oportunitete të cilat Shqipëria mund t’i shfrytëzojë shumë mirë.

Ristrukturimi i linjave të prodhimit europian, duke i sjellë linjat e prodhimit të produkteve europiane nga Azia në Europë, me qëllim pasjen e një kontrolli më të plotë mbi to, është një rast i mirë që duhet shfrytëzuar, me synimin e thithjes së një pjese të këtyre investimeve në vendin tonë, duke shfrytëzuar avantazhet krahasuese si krahu i lirë i punës, infrastrukturën detare, tokësore etj. Nuk duhen lënë të ikin të tilla mundësi. Janë raste që ndodhin shumë rrallë dhe ne duhet t’i shfrytëzojmë patjetër.

Monitor