Pandemia i ka dhënë një goditje të fortë sektorit të tregtisë me jashtë duke i ulur eksportet për 9-mujorin 2020 me 13,6 për qind në krahasim me një vit më parë dhe importet me 8.6 për qind për të njëjtën periudhë, por në sfond të këtyre zhvillimeve negative eksporti i prodhimeve bujqësore ka lulëzuar.
Sipas të dhënave të INSTAT përgjatë 9 mujorit të këtij viti eksportet e frutave dhe perimeve u rriten me 16,6 për qind në raport janar-shtator të vitit 2019. Vlera e frutave dhe perimeve të shitura jashtë vendit arriti në 8,1 miliardë lekë ose 66 milionë euro, duke shënuar një rekord të ri që nga viti 1990.
Vlera më e madhe i takon eksportit të zarzavateve e dominuar kryesisht nga domatja, vlera e të cilave arriti në 6,1 miliardë lekë ose 50.3 milionë euro me një rritje rreth 15 për qind në raport me një vit më parë.
Burimet nga tregu pohojnë se, rritja e eksporteve të zarzavateve dhe kryesisht domates erdhi si nga krahu i ofertës ku prodhimi më i mbarë dhe përmirësimi i varieteteve ka rritur shitjet dhe gjithashtu përmirësimi i zinxhirit të eksporteve ka ndikuar pozitivisht. Këtë vit kompania Doni Fruit e cila ka investuar në kapacitete të mëdha të grumbullimit dhe magazinimit në zonën e Fierit ka realizuar eksporte ne 35 vende të ndryshme të Europës.
Eksporti i frutave arriti një vlerë prej 1,9 miliardë lekësh në 9-mujor ose 15 ,8 milionë eurosh, me rritje vjetore 23 %.
Më 2019 eksportet e frutave, perimeve dhe zarzavateve u rriten mbi 10 për qind duke shënuar një vlerë totale 10,4 miliardë në raport me 9.5 miliardë lekë të realizuara gjatë vitit 2018.
Pandemia Covid- 19 nuk e ka ndikuar konsumin e frutave dhe perimeve, përkundrazi ka ndikuar për mirë pasi një pjesë e shpenzimeve konsumatore që më parë shkonin për udhëtime dhe argëtim janë kanalizuar të ushqimet. Produktet ushqimore si në import dhe eksport janë të vetmet që kanë shënuar rritje këtë vit në raport me grupe e tjera të mallrave, shumica e të cilave kanë pësuar rënie dyshifrore.
Eksporti i grupit të ushqimeve rendit i pesti në totalin e eksporteve për 9 -mujorin. Kushtet klimaterike favorizuese e bëjnë Shqipërinë konkurruese, për shkak se prodhimet e perimeve dalin në tregje së paku një muaj para fqinjëve në Rajon dhe Europë.
Investime më të mëdha në zinxhirin e tregut bujqësor do të rrisnin më tej vlerën e produkteve të bujqësore shqiptarë dhe fitimet e eksportuesve gjithashtu.
monitor