Ekstradohet nga Gjermania truproja i Saimir Tahirit

0
196

Burime bëjnë me dije për Faxweb.al se paraditen e sotme, është ekstraduar në Shqipëri nga Gjermania, Hekuran Marku, një nga bodygardët e ish-ministrit Saimir Tahiri.

Hekuran Marku ishte arrestuar në Gjermani në Gusht të vitit të kaluar, ndërsa kolegu i tij Paul Deda alias Agustin Deda është arrestuar në Francë.

Marku dhe Deda akuzohen se gjatë kohës që kanë shërbyer si truproja të ministrit Tahiri kanë trafikuar rreth 1 ton kanabis drejt Italisë.

Përfshirja e tyre në trafikun e drogës ka dalë nga dëshmia e 4 të penduarve të drejtësisë të cilët kanë rrëfyer në Bari për rrjetin e trafikut nga Shqipëria drejt Italisë.

Ndërsa Marku është arrestuar, Deda ka kërkuar azil politik në Francë dhe kërkesa e tij po shqyrtohet nga autoritetet vendase.

Operacioni “Shpirti” kundër trafikut ndërkombëtar të drogës u zhvillua më 7 korrik të vitit të kaluar, në bashkëpunim me institucionet italiane të drejtësisë.

38 persona janë arrestuar për akuza të ndryshme si korrupsion, abuzim me detyrën, pastrim parash, trafik ndërkombëtar droge.

Ardit Murataj