Policia e Vlorës vijon punën për zbardhjen e vrasjes së Tauland Gjikajt, ngjarje e ndodhur pasditen e djeshme në Vlorë, 3 mars 2021.
Mësohet se uniformat blu kanë shoqëruar në komisarit më shumë se 10 persona, dëshmitarë të rastit dhe të njohur të 31-vjeçarit që u ekzekutua me armë zjarri ditën e djeshme .
Policia e Vlorës ka arrestuar ditën e djeshme një nga autorët e dyshuar të vrasjes së 31-vjeçarit Tauland Gjikaj, shtetasin Hans (Andi) Jonuzaj, 44 vjeç.
Ai u arrestua në momentin që po tentonte të largohej me makinën e tij tip “Ford”, brenda së cilës u gjet edhe një armë zjarri kallashnikov.
Burime bëjnë me dije se ai fillimisht nuk ka pranuar krimin, duke thënë se nuk ka lidhje me ngjarjen, por pamjet filmike, gjurmët e gjetura në vendin e ngjarjes si dhe arrestimi i tij në po të njëjtin mjet që ka ndodhur vrasja kanë qënë të pakundërshtueshme për policinë e cila ka bërë arrestimin e tij.
Policia e Vlorës ka identifikuar edhe dy persona të tjerë që kanë qenë pjesë e atentatit dhe i ka shpallur në kërkim. Janë kryer kontrolle në disa banesa në zonë për kapjen e tyre.
Viktima me precedent, ekzekutimi i tij u filmua nga kamerat e sigurisë
Viktima ishte person me precedent penal i përfshirë në disa ngjarje kriminale, ndërsa ende nuk ka një pistë zyrtare mbi arsyet e ekzekutimit.
Vrasja e Tauland Gjikajt afër Gjykatës së Apelit në Vlorë është filmuar nga një kamera sigurie.
Nga ajo çfarë duket në pamje, viktima dukej se njihej me autorët sepse ai është ndalur dhe duket se pret të takohet me dy burrat, por pa ditur mesa duket qëllimin e tyre.
Në fillim Taulandit i afrohet një burrë i shëndoshë, tullac, me një bluzë të bardhë dhe një xhup me kapuç. Pas tij vjen dhe një person i dytë i cili në dorë ka armën dhe e qëllon.
Ai qëllon menjëherë dhe të dy largohen drejt makinës, ku i priste nje person i tretë.