Publikohen pamjet e vrasjes së vëllait të Talo Çelës, Bujar Çela. Krimi i rëndë ndodhi më 17 shtator të vitit 2020, në një lokal në Bradashesh të Elbasanit.
Në pamjet e marra nga kamerat e sigurisë rezulton se vrasja ka ndodhur në orën 05:54 minuta të mëngjesit.
Bujar Çela ndodhet i ulur në lokal nën shoqërinë e një tjetri personi, ndërsa ngjitur me ta, në një tjetër tavolinë ndodhen disa persona të tjerë.
Fillimisht ndaj Bujar Çelës është qëlluar nga një distancë, më pas drejt tij afrohet një tjetër person, i maskuar me kapele dhe me armë në dorë, i cili qëllon disa herë.
Më pas afrohet një tjetër person, me kapele dhe me jelek anti-plumb, i cili në dorë mban një pistoletë me silenciator.
Pak sekonda më vonë një person i tretë, sigurohet se Bujar Çela nuk ka asnjë shenjë jete.
Për këtë krim akuzohet Nuredin Dumani, dosja e të cilit është transferuar në Prokurorinë Speciale kundër Krimit dhe Korrupsionit.