Ekzekutoi në mes të lokalit 50-vjeçarin në Ndroq, dorëzohet në polici kunati i Altin Hajrit!

0
2

I riu është dorëzuar vetë te forcat e policisë, të cilat po punonin që mbrëmë për kapjen e tij.  

Ka zgjatur më pak se 24 orë arratia e Julian Gjoshit, i cili ekzekutoi dje me armë zjarri Alfred Dedjan.

Atentati ndodhi në një lokal në Ndroq. Pas vrasjes, 26-vjeçari u largua me makinë. Makina u gjet paraditen e sotme në zonën e Kavajës, ndërsa në mbrëmje është bërë dhe ndalimi i tij. Sipas burimeve, i riu është dorëzuar vetë te forcat e policisë, të cilat po punonin që mbrëmë për kapjen e tij.

Në vijim të veprimeve për  ngjarjen e  ndodhur më datë 01.12.2024, ku rreth orës 15:30, në një lokal në Ndroq,  mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi A. D., rreth 50 vjeç, ju informojmë se:

Falë veprimeve të shpejta dhe të koordinuara të Policisë së DVP Tiranë në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, kontrolleve të shumta të ushtruara bazuar në inteligjencës policore, gjetjen dhe bllokimin e automjetit të dyshuar që kishte përdorur autori, si dhe bllokimit të rrugëkalimeve dhe pamundësisë për të qëndruar i fshehur, autori i dyshuari u dorëzua në Polici.

Në vijim të veprimeve Specialistët për hetimin Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë  bënë ndalimin e  autorit të dyshuar, shtetasit J. Gj., 26 vjeç, banues në Shijak.

Për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes, për sigurimin  dhe sekuestrimin e  provave dhe kapjen e ndalimin e autorit, Strukturat e Hetimit të Krimit në DVP Tiranë, kanë punuar me  profesionalizëm në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë dhe strukturat e tjetra të Policisë së  Shtetit.

Grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj ligjor”, njofton policia.

Sa i takon dinamikës së krimit, Julian Gjoshi ka qenë i ulur në një tavolinë i shoqëruar nga një person tjetër.

Autori i dyshuar ka qenë brenda lokalit ‘Kështjella’ në Ndroq me një mik duke pritur Alfred Dedjan. Me këtë të fundit e kishte lënë të takohej për të sqaruar konfliktet që kishin me njëri tjetrin, pasi burimet thonë se autori dhe viktima kanë pasur debate edhe dy muaj më parë. Sapo Dedja është futur brenda në lokal, autori i dyshuar e ka qëlluar me armë pa e nxjerrë fare nga xhepi i xhupit me të paktën 5 plumba ku 3 prej tyre e kanë kapur 50-vjeçarin duke i shkaktuar vdekjen.

Gjithashtu armë zjarri tip pistolete ka patur edhe vetë viktima të cilën nuk e ka përdorur sepse ngjarja ka ndodhur brenda pak sekondash.

Pista paraprake e hetimit mbetet ajo e konflikteve për shkak të pazareve të drogës.

Të dy njiheshin prej kohësh dhe kishin shoqëri të përbashkët, madje viktima përpara disa kohësh ka punuar si menaxher te kompleksi “Golden” ne pronësi të Altin Hajrit. Autori rezulton se është kunat i Altin Hajrit, një prej emrave të kërkuar për vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës. Emri i Julian Gjoshit del edhe në hetimet e Prokurorisë së Posaçme për deputetin socialist të arrestuar, Jurgis Çyrbja. Ish-deputeti që akuzohet për shitje sekretesh hetimore tek Altin Hajri, pas përgjimeve në Sky Ecc dyshohet të ketë biseduar me të edhe për kunatin që sot kru vrasje.

Sipas dosjes së SPAK, Hajri komunikon me Çyrbjen në Janar të vitit 2021 dhe e vë në diejni për arrestimin e kunatit të tij, Julian Gjoshi. Altin Hajri i kërkon ish-deputetit të ndërhyjë për ta liruar. Madje ai thotë se do paguante deri në 20 mijë euro, vetëm të prishej prova.

Viktima që jetonte mes Shqipërisë dhe Italisë është me precedent penal në fushën e narkotikëve. /Pamfleti