Flodian Plaku i njohur dhe me emrat Florian Serjani alias Florian Mamo, është personi që dyshohet se ka tërhequr këmbëzën e kallashnikovit që i mori jetën Gentjan Bejtja. Ish-polici i Burgjeve që u kishte shpëtuar disa atentateve, i kërkuar nga grupet kriminale dhe i skeduar nga Policia, mbeti i vrarë pasditen e 15 Marsit 2024 në oborrin e shtëpisë së tij.
Më herët, nga Policia e Tiranës kanë rënë në pranga Ilir Beqaraj alias Brahimi, alias Mançellari dhe është shoqëruar Edison Haxhiu. Këta shtetas dyshohet gjithashtu se janë të përfshirë në vrasjen e Gentjan Bejtjas.
Ngjarja ndodhi në fshatin Larushkë të Krujës, në oborrin e shtëpisë së tij, në të cilën sapo ishte kthyer sepse qëkur i vranë kunatin dhe i plagosën nipin, ai jetonte i fshehur.
Ish-polici po vadiste fidanët e domateve që kishte mbjellë në oborr, kur një fuoristradë “Land Rover Discovery” si ato të Policisë së Shtetit, ndaloi pak metra larg gardhit dhe një nga personat që ndodhej brenda tij nisi të qëllonte me breshëri.
Fatkeqësisht, plagët ishin të shumta dhe Gentjan Bejtja mbeti i vdekur në vend. Fati nuk ishte me të këtë herë, ashtu si përgjatë viteve, kur ju kishte shpatuar të paktën tre atentateve të njohura dhe zyrtarisht, dy me armë dhe një me eksploziv.
Në verën e vitit 2023, drejt shtëpisë së tij u qëllua me breshëri plumbash dhe për pasojë mbeti i vdekur kunati i tij, Ramazan Sino, i cili më vonë rezultoi se ishte dhe shoferi i një prokurori, si dhe nipi Alvi Bejtja u plagos. Gentjani ndodhej në oborr atë moment, por ju shpëtoi plumbave.

Edhe në vitin 2022 ndaj tij është qëlluar me breshëri kallashnikovi teksa lëvizte me makinë në zonën e Niklës, i shoqëruar nga Klodian Stafuka. Asokohe Gentian Bejtja mbeti i plagosur. Ai sapo kishte furnizuar makinën me karburant dhe do të largohej, kur mjeti ra në pritë.
Ish-polici i ka shpëtuar edhe një tjetër atentati, në vitin 2016. Makina me të cilën ai udhëtonte u hodh në erë nga një sasi e konsiderueshme tritoli, Gentjan Bejtja mori lëndime në trup, por fatmirësisht u mbijetoi plagëve.
Për Policinë e Shtetit, Gentjan Bejtja rezultonte një person me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale në krime kundër personit dhe pronës, si dhe i arrestuar me arsenal armësh në banesë. Ai njihej si miku i ngushtë i Enver Stafukës, personazh i njohur i botës së krimit, i rrëmbyer nga një skuadër “policore” dhe i zhdukur në rrethana të dyshimta në shkurt të vitit 2015.

Gentjan Bejtja ishte mes personave të fundit që e panë gjallë Enver Stafukën. Një dekadë pas ngjarjes së mistershme në Fushë Krujë, janë ngritur shumë hipoteza e teori, janë vrarë shumë persona të lidhur direkt ose indirekt me të, por asnjë nuk dihet për Stafukën.
Ish-polici i Burgjeve dhe Enver Stafuka ishin personat që vodhën makinën e përdorur për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt në shkurt të vitit 2013. Të dy u arrestuan nga Policia një ditë pas vrasjes së kryekomisarit.
)