Ekzorcizmat janë të vërteta dhe kanë një histori të lashtë

0
3

Nga Melissa Sartore/

Një ekzorcizëm ndoshta sjell ndër mend imazhe të priftërinjve katolikë, të shtyrë nga fuqia e Krishtit, me erë që vjen nga një burim i panjohur, me qirinj që dridhen rreth tyre, duke dëbuar demonë dhe shpirtra të këqij nga persona të pushtuar ose, në disa raste, nga një vend i caktuar

Filma si The Exorcist i vitit 1973 e vënë në pah përdorimin e ujit të bekuar, lutjes dhe madje arsyes për të dëbuar një forcë djallëzore, ndërsa beteja epike mes së mirës e së keqes shpaloset para syve të shikuesve. Por a janë ato të vërteta?

Ekzorcizmat ndodhin vërtet dhe ajo që është në rrezik gjatë njërit prej tyre nuk është aq larg nga ajo që kultura popullore na bën të besojmë. Megjithatë, duke u përqendruar tek aspektet e tmerrshme të ekzorcizmit bashkëkohor, kultura popullore nuk ofron një kuptim të qartë se si lindi realisht kjo praktikë.

Llojet e ekzorcizmit

Ekzorcizmat e kryera nga Kisha Katolike janë ndoshta forma më e njohur e kësaj praktike. Por në thelb të çdo përpjekjeje për të dëbuar demonët qëndron beteja e pandërprerë kundër së keqes. Përkufizimi i së keqes është i ndryshueshëm dhe varet nga sistemi i besimit, praktika dhe konteksti.

Si rezultat, e keqja mund të marrë formën e një posedimi demoniak, një papastërtie shpirtërore, ose një tundimi të thjeshtë. Ekzorcizmi, si armë kundër së keqes, dëbon, pastron ose mbron nga çfarëdo force djallëzore që është në lojë.

Në Mesopotaminë e mijëvjeçarit të parë para Krishtit, magjistarë të quajtur ashipu largonin dhe dëbonin demonët që sillnin sëmundje dhe kaos. Si shërues shpirtërorë, ashiputë shiheshin si mbrojtës të nderuar që përdornin hajmali, kryenin rituale të ndërlikuara dhe, kur ishte e nevojshme, angazhonin figura demonësh ndihmës në përpjekjet e tyre.

Fjala e lashtë greke daimon, nga e cila rrjedh fjala moderne “demon”, i referohej shpirtrave hyjnorë dhe forcave mbinatyrore. Ndërsa një daimon mund të ishte i mirë ose i keq, ky i fundit ishte një forcë dashakeqe që duhej dëbuar ose çliruar.

Historiani i shekullit të parë të erës sonë, Flavius Josephus, tregoi historinë e Eleazarit, një burri që çlironte të tjerët nga një demon duke e nxjerrë atë përmes hundës dhe duke thirrur vazhdimisht emrin e Mbretit Solomon, një dëshmi për një formë ekzorcizmi edhe në traditën hebraike.

Krishterimi dhe ekzorcizmi

Me rritjen e Krishterimit gjatë tre shekujve të parë të erës sonë, temat e vendosura të ritit gjetën një themel edhe më të fortë. Posedimi dhe ekzorcizmi u bënë një mënyrë për të bashkuar të krishterët besimtarë dhe për të vërtetuar besimin e tyre pas përndjekjeve fetare.

Përhapja e Krishterimit bëri që paganizmi të merrte një kuptim të së keqes, duke e shndërruar besimin jo të krishterë në diçka që duhej çliruar.

Image

Si rrjedhojë, heqja dorë nga paganizmi si diçka e keqe u bë një kërkesë për pagëzim në fenë e krishterë. Rënia përsëri nën ndikimin e një besimi pagan ishte e barasvlershme me posedim. Ekzorcizmi në këtë kontekst ishte një mekanizëm vullnetar për të forcuar si besimin e krishterë, ashtu edhe komunitetin e krishterë.

Ekzorcizmi shërbeu për të legjitimuar Krishterimin dhe, deri në shekullin e 4-t pas Krishtit, u përdor gjerësisht në kontekste para-pagëzimit. Të konvertuarit dhe ata që dëshironin të bëheshin të krishterë iu nënshtruan ekzorcizmit të përditshëm në mëngjes deri në ditën e pagëzimit.

Në ditën e pagëzimit, një peshkop frynte mbi ta për t’u hequr ndikimet e liga, përmes një procesi të quajtur esksuflacion. Në momentet para pagëzimit, individi lyhej me vaj të cilit i ishte bërë vetë ekzorcizëm.

Jashtë pagëzimit, klerikët kryenin ekzorcizëm duke vendosur duart mbi të pushtuarin ndërsa urdhëronin shpirtrat e këqij të largoheshin nga trupi i tij. Të krishterët në antikitetin e vonë dhe Mesjetën e hershme mund t’i bënin “ekzorcizëm vetes”, duke thirrur një shenjtor si ndërmjetës, duke shkuar në një faltore dhe duke kërkuar ndihmë nga një entitet i shenjtë për t’u afruar më shumë me Zotin dhe për t’u larguar nga e keqja.

Ekzorcizmi në Mesjetë

Vetëm rreth shekullit të 12-të praktika e ekzorcizmit pësoi një ndryshim të rëndësishëm. Kjo ndodhi me rritjen e sekteve heretike të Krishterimit. Grupi i Katarëve, për shembull, shpallte një betejë dualiste mes së mirës dhe së keqes, duke sfiduar doktrinën dhe hierarkinë e Kishës Katolike Romane.

Për besimtarët katolikë ortodoksë dhe për udhëheqjen katolike, kjo herezi paraqiste një përfitim të ri të ekzorcizmit: një mekanizëm thelbësor me të cilin të krishterët mund të çliroheshin nga besimet mëkatare heretike që po shfaqeshin në atë epokë.

Dëshmimi i përkushtimit ndaj Krishterimit u formalizua përmes ekzorcizmit, me lutje personale që merrnin formën e “vetë-ekzorcizmit”. Për më tepër, teologë si Shën Tomas Akuini (1225-1274) trajtuan tema si demonologjia dhe ndihmuan në përcaktimin dhe sqarimin e qëllimit të ekzorcizmit.

Botimi i librit të parë të ekzorcizmit rreth vitit 1400 u pasua nga dekada, në mos shekuj, krize për Kishën Katolike. Reforma Protestante e ndau Krishterimin dhe bëri që tjetri i demonizuar të ishte më i pranishëm se kurrë më parë nga perspektiva e Vatikanit. Si rrjedhojë, përndjekja si Inkuizicioni morën një nuancë të ngjashme me ekzorcizmin. Në këtë kontekst, Kisha Katolike e sanksionoi ritin e parë zyrtar të ekzorcizmit.

Image

Në vitin 1614, u vendos Rituale Romanum, i cili mbeti pothuajse i pandryshuar deri në gjysmën e parë të shekullit të 20-të. Ai përfshinte De Exorcismis et Supplicationibus Quibusdam (“Për ekzorcizmat dhe disa lutje”), dhe, pas reformave të ndërmarra nga Këshilli i Dytë i Vatikanit (1962-1965), kjo ishte pjesa e fundit e Rituale Romanum që u rishikua. Versioni i përditësuar u botua në vitin 1999.

Struktura dhe formulat e versioneve të vitit 1614 dhe 1999 të De Exorcismis et Supplicationibus Quibusdam janë pothuajse të njëjta, megjithëse ky i fundit thekson më fort lidhjen mes pagëzimit dhe ekzorcizmit. Si rrjedhojë, praktikat bashkëkohore të ekzorcizmit jo vetëm që mbeten të ngjashme me ato të lashtat, por në shumë aspekte duket se janë rikthyer në pikën e nisjes.

Pra, ku mbetet kultura popullore në gjithë këtë? Filmat mund të jenë një vend argëtues e çlirues për të parë interpretime moderne të ekzorcizmave, por për historinë e vërtetë, gjithmonë është më mirë t’i drejtohesh dogmës. / National Geographic – Syri.net