Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan vunë në pranga shtetasin Fadil Demaj, 61 vjeç, që ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin e datës 20.10.2025, e ka dënuar me 5 vjet, 3 muaj e 18 ditë burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. B., pasi gjatë kontrollit të kryer në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, në subjektin e këtij shtetasi, janë konstatuar etiketa të produkteve që nuk përputhen me ato të regjistrimit në MBZHR.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor:
-arrestuan në flagrancë shtetasin N. B., 52 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;
-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin K. V., 22 vjeç, pasi në fshatin Letan, duke drejtuar mjetin bujqësor, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe për pasojë mjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti janë dëmtuar shtetasi K. V. dhe pasagjeri në mjetin bujqësor, të cilët janë në kujdesin e mjekëve.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit M. H., 65 vjeç dhe S. H., 61 vjeçe (bashkëshortë), pasi shtetasi M. H. dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj fëmijëve të tyre dhe për këtë shkak, shtetasja S. H., bashkë me djalin, ka ushtruar dhunë ndaj shtetasit M. H..
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.


