Elbasan/ Drejtonte kamionin me ngarkesë të pasiguruar, gjobitet shoferi

0
94

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan

Në lidhje me një video të publikuar në portalin “JOQ”, në të cilën shfaqet një kamion, i cili në aksin rrugor “Librazhd-Elbasan”, qarkullon me një ngarkesë të çrregullt dhe të pasiguruar, ju informojmë se:

Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Elbasan kanë identifikuar drejtuesin e këtij automjeti, shtetasin G. K., dhe i kanë vendosur atij, masën administrative 10 000 lekë të rinj, bazuar në gërmën e, pika 2, neni 173 i Kodit Rrugor.

Gjithashtu, strukturat e Komisariatit të Policisë Librazhd kanë kryer verifikimet për ngarkesën e druve dhe ka rezultuar se transporti i tyre është kryer me dokumentacionin përkatës.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, dhe i garanton ata se do të reagojë menjëherë dhe konform ligjit.