Zona e Selitës në Elbasan po shpopullohet me ritme të shpejta, ndërsa shkak për këtë është bërë mungesa e mbështetjes nga shteti. Selita ka një numër të lartë fermerësh, por çmimet e ulëta të produkteve të tyre dhe mungesa e subvencioneve kanë bërë që shumë prej bujqve të braktisin tokën. Në pamundësi për një të ardhme të qëndrueshme, rinia e Selitës ka braktisur fshatin, ndërsa kjo zonë tashmë popullohet kryesisht nga të moshuar.
Fermerët e zonës së Selitës në Elbasan, të njohur për prodhimet bujqësore ndër vite, po përballen me vështirësi në shitjen e produkteve të tyre, pasi çmimet e ulëta me të cilat i shesin nuk mbulojnë as kostot. Kjo situatë ka ndikuar në mungesën e sigurisë financiare për ta.
Vështirësitë në prodhimin e kulturave bujqësore janë të shumta, por edhe shpenzimet për inputet bujqësore janë bërë të papërballueshme. Bujqit shprehen se nga shteti nuk kanë asnjë mbështetje me subvencione. Sipas tyre, kjo situatë po çon drejt braktisjes së tokës dhe, për pasojë, edhe shpopullimit të zonës.
Përballë një situate ku gjithçka është më e ulët se kostot e prodhimit, rinia e Selitës ka parë si zgjidhje vetëm emigrimin, ndërsa kjo zonë tashmë është e populluar kryesisht nga moshat e treta.
SYRI