Tregu i gjelit të detit në Elbasan ka ndjerë mungesën e fuqisë blerëse në këtë fundvit. Tregtarët shprehen se pavarësisht uljes së çmimit, nuk ka shitje. Pensionistët thonë se pensionet janë të pamjaftueshme për të blerë gjelin e detit.
Në tregun e shpendëve në Elbasan edhe këto ditë të fundit të vitit, vijon shitja e gjelave të detit. Këtë vit mungesa e theksuar e blerësve ka bërë që çmimi i gjelave të detit të bjerë në 700 lekë për kilogram. Ata shprehen se janë të vetëdijshëm se qytetarët, kryesisht mosha e tretë e mbetur, e ka të pamundur ta përballojë këtë çmim, ndonëse me i ulët se vitin e kaluar.
Të vetmit qytetarë ëe shihen në tregun e gjësë së gjallë janë të moshuarit, të cilët shprehen se pensionet që marrin janë të pa mjaftueshme për të blerë shpendin simbol të tryezës së fundvitit.
Ajo që vërehet qartazi në tregun e gjësë së gjallë është pakësimi i fermerëve që dalin për të shitur këtë shpend, kjo për arsye të mos nxjerrjes së shpenzimeve as për rritjen e tij.


