Me një sipërfaqe serash prej mbi 100 hektarësh, zona e Jagodinës në Elbasan po përballet këtë sezon me një situatë të pazakontë: kalbjen masive të domates.
Edhe pse prodhimi është i bollshëm, fermerët po pësojnë humbje të konsiderueshme për shkak të dëmtimit të frutit që në stadin e hershëm, përpara se të piqet dhe të dalë në treg.
Familja e Feride Metës, e cila prej vitesh merret me bujqësi, thotë se situata është aq e rëndë, sa mund të detyrohen të mos e vazhdojnë më kultivimin e domates.
“Unë kam mbjellë 1 dynym domate. Ajo, para se të piqet, çahet kështu – edhe jeshile, edhe e kuqe çahet pa u pjekur. S’i ka gjë tjetër, vetëm farat janë të këqija. Sepse s’ka mundësi, kemi mbjellë edhe vite të tjera dhe nuk na ka qëlluar kështu. Asnjë lekë nuk mora, fitim jo e jo, po as lekët e shpenzimeve nuk i mora. Ne me këtë merremi, punë tjetër s’kemi. Unë jam pensioniste, 97 mijë lekë marr,” – tregon zonja Meta për Euronews Albania.
Problemi nuk është i izoluar vetëm në një familje. Fermerë të tjerë të zonës raportojnë të njëjtin fenomen. Ata fajësojnë farat e pakontrolluara, që sipas tyre futen në treg pa kaluar asnjë filtër cilësie dhe po i çojnë drejt falimentit.
Një tjetër banore e zonës, e angazhuar në bujqësi prej 40 vitesh, shton:
“Problemi është te farishtat, tek plehrat që vijnë, që do të ushqejnë bimën. A shpërblehet e gjithë kjo lodhje? Ka raste që nuk shpërblehet fare, ka raste që del aty-aty, por me djersë shumë dhe me punë të madhe. Domatja është hedhur, sepse ka dalë fara e keqe. Merr farë tjetër, del ujë, i del lëkura, nuk shitet.”
Edhe zonja Meta thekson nevojën për kontrolle të shtetit:
“Duhet kontroll vetëm atje ku marrim farat. Çfarë farash fusin në dhe ata që i mbjellin, pse gënjejnë fermerin e shkretë? Neve na ikën viti kot. Kjo shkon kot, do ta shkulësh, do ta hedhësh pastaj. Ty s’të ka në listë njeri fare. E hodhe, e hodhe, hidhe. Asgjë, nuk të vjen njeri të qajë hallin.”
Jagodina është një nga zonat me investime të mëdha në bujqësi, ku burra, gra e madje edhe fëmijë angazhohen në punët bujqësore. Në vitet e mëparshme, prodhimi i domates ka qenë burim të ardhurash të qëndrueshme falë cilësisë së mirë dhe zinxhirit të eksportit. Por këtë vit, situata është e rënduar dhe shumë fermerë rrezikojnë të mos e përballojnë dot sezonin tjetër.